Lajçak përsëriti tri kërkesat e BE-së për Kurtin dhe Vuçiqin, por nuk përmendi policët e kidnapuar

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje lidhur me takimet në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka treguar se në emër të Bashkimit Evropian ua ka prezantuar të dy palëve tri elementet në të cilat duhen të fokusohen.

Sipas tij, fillimisht nevojitet depërshkallëzimi i situatës, pastaj zgjedhjet e reja në veri dhe kthimi në Marrëveshjen e Ohrit.

“Në emër të BE-së, pritshmëritë tona të qarta ua prezantuam të dyja palëve, të fokusuara në 3 elemente: 1/ depërshkallëzimi 2/ zgjedhje të reja në veri 3/ kthim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar ai.

Lajçak ka shtuar se në ditët në vijim do të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me të dyja palët, duke shtuar se do të ndjekin nga afër zhvillimet në terren.

“E nisa këtë javë me një vizitë në Uashington DC, ku u angazhova në diskutime produktive me kolegë dhe zyrtarë mbi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet tona të përbashkëta BE-SHBA. Ishte shumë e rëndësishme të isha në SHBA dhe të krahasoja shënimet me bashkëbiseduesit e mi gjatë kësaj kohe të ndjeshme. U takova me nënsekretaren e shtetit Victoria Nuland dhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet. Kemi ndarë një vlerësim të përbashkët për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e lehtësuar nga BE’, ka thënë ai./Sinjali/

Read Previous

Parashikimi i motit për këtë javë

Read Next

Guvernatorja e shtetit të Iowa-s, sot viziton Kosovën