Abdixhiku: Masakra e Reçakut ndër aktet më të rënda të Serbisë në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak në përkujtimin e 24 vjetorit të masakrës më të tmerrshme të bërë nga pushteti ushtarako-policor serb.

Abdixhiku tha se 15 janari i 1999-ës është një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme e tronditëse të Serbisë në Kosovë.

“Aq tronditës ishte ky akt – krim kundër njerëzimit do ta quante ambasadori Walker atëherë – sa që i njëjti u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës dhe angazhimit tonë për jetë të lirë. Sot, teksa po largohemi pothuajse një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”, tha ai.

Në Masakrën e Reçakut, Serbia vrau 45 civilë duke kryer krim kundër njerëzimit.

/Klankosova.tv/

Read Previous

YouTube së shpejti mund të fillojë transmetimin falas të kanaleve televizive

Read Next

Sot shënohet 159 vjetori i lindjes së Isa Boletinit