Kusari-Lila për rastin në Shtërpcë: Sulm direkt ndaj Kosovës

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se sulmi në Shtërpcë ndaj dy të rinjve serbë, është sulm makabër ndaj të drejtës elementare të qytetarëve dhe sulm direkt ndaj Kosovës.

Kusari – Lila tha se sulmi, si i tillë është akt i izoluar i një individi, i cili sipas saj, me këtë vepër s’e përfaqëson asnjë institucion, politikë apo synim të shumicës.

“Përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e të dyshuarit për veprën dhe presim veprime të njëjta nga organet e drejtësisë për të ndriçuar secilin detaj që lidhet me këtë vepër të rëndë”, ka shkruar Kusari – Lila.

Postimi i plotë:

Sulmi i sotëm në Shtërpcë nga vetura në lëvizje, dhe plagosja e dy qytetarëve të kominitetit Serb 11 dhe 21 vjeç, është sulm makabër ndaj të drejtës elementare të qytetarëve të këtij vendi dhe sulm direkt ndaj Republikës së Kosovës!

Sulmi si i tillë është akt i izoluar i një individi i cili me këtë vepër nuk përfaqëson asnjë institucion, politikë apo synim të shumicës.

Përgëzoj pjestarët e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e të dyshuarit për veprën dhe presim veprime të njejta nga organet e drejtësisë për të ndriquar secilin detaj që lidhet me këtë vepër të rëndë!

Sonte është natë feste për të gjithë besimtarët ortodoks sllavë, andaj sonte familjet duhet të kenë festë e askush nuk duhet në Kosovë të ndiej frikë apo ankth nga rrethanat e sigurisē.

Kosova si shtet i lirë dhe sovran është shtëpi e të gjitha komuniteteve pa dallim, ndërsa institucionet e saja janë të përkushtuara për të siguruar mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e saj!

/GazetaSinjali/

Read Previous

Pas zgjedhjes së kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, betohen anëtarët e Kongresit të 118-të në SHBA

Read Next

Ndalohet ekstradimi i djalit të “El Chapo” në SHBA pasi vriten 29 persona gjatë operacionit policor