6-vjeçari plagos me armë mësuesen në SHBA

Në SHBA nuk kanë fund ngjarjet e rënda dhe të çuditshme, ku së fundmi, një fëmijë 6 vjeç ka plagosur me armë mësuesen e tij gjatë kohës kur ishte në klasë.

E gjitha ka ndodhur në Virginia, ku forcat policore, në shpjegim të rrethanave, kanë përcaktuar se asnjë person tjetër, apo ndonjë nxënës, nuk është lënduar, veç mësueses.

Mirëpo, kjo e fundit, 30-vjeçare, plagët që ka marrë i ka pasur të rënda dhe ashtu si specifikohet në raport, “kërcënuese për jetën”.

Gjithsesi, gjendja shëndetësore e saj, pas marrjen së ndihmës së parë, është stabilizuar.

Është e paqartë ndërkohë se si fëmija ka arritur të marrë një armë në shkollë dhe se kujt i përket ajo.

Ajo çfarë dihet konkretisht, është se e gjitha nuk ka qenë një aksident dhe situata po trajtohet me seriozitet, për të përcaktuar shkaqet e gjithë ndodhisë.

Çështja e armëve në SHBA po kthehet në një shqetësim ndër më të mëdhenjtë e shoqërisë amerikane.

Prej kohësh ka pasur sulme masive në shkolla me dhjetëra të vdekur, apo edhe raste më sporadike, si ky në fjalë.

Kauza për të ndaluar armëmbajtjen me leje dhe blerjen e lirshme të tyre është hapur disa herë në rang jo vetëm social por edhe legjislativ.

Megjithatë, hapa të mëtejshëm nuk janë ndërmarrë asnjëherë, në një kohë kur vendi përballet me këtë valë frike dhe kërcënimi për jetën e përditshme. /Albanianpost.com

Read Previous

Studimi: Gjysma e akullnajave do të zhduken deri në vitin 2100

Read Next

Pamje të rralla të Shqipërisë nga viti 1931 (FOTO)