Sveçla: Situata në veri të vendit e tensionuar, por e menaxhueshme

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) Xhelal Sveçla ka thënë se situata në veri të vendit është e tensionuar, siç tha ai për shkak të pakënaqësive të strukturave ekstremiste kriminale atje, por siç tha ai e menaxhueshme dhe janë në koordinim me ndërkombëtarët.

Sveçla përmes një konference për media pas mbledhjes së qeverisë theksoi se brenda Policisë së Kosovës ka pasur integrim të strukturave kriminale.

“Situata atje është e tensionuar, jo për shkak të institucioneve të qeverisë, jo për shkak të vendimeve të Qeverisë së Kosovës, por për shkak se ka një pakënaqësi të strukturave ekstremiste kriminale atje. Që kur kemi ardhur kemi luftuar kontrabandën suksesshëm atje… Ajo çfarë kryeministri përmendi janë propozimet për marrëveshje të cilat nuk janë të pranueshme për Serbinë… dhe targat janë marr si pretekst…”, tha ai.

Ministri i MPB-së përmendi sulmet që kanë ndodhur në veri ndaj Policisë së Kosovës. Ai tha se Drejtoria rajonale në veri nuk i ka përmbushur detyrimet ligjore në zbardhjen e rasteve për sulmet në veri.

“Jemi dëshmitarë të sulmeve që kanë ndodh atje. Drejtoria rajonale atje nuk ka përmbush detyrimet ligjore, kemi pasur dhe integrim të strukturale kriminale brenda Policisë së Kosovës. ….Shumë zyrtarë policorë të komunitetit serb kanë pasur autorizimet dhe pushtetin që i jep ajo uniformë, të kenë pagat e armën e Policisë Kosovës. E kanë dëshmu këtë me pjesëmarrje, në mbledhjet e Serbisë dhe pastaj refuzimin për të zbatuar një vendim të ligjshëm. E kjo ka shkaktuar vështirësi në hetime. Policia është duke hetuar secilin rast veç e veç. I kemi rezultatet e para. Policia e Kosovës ka rregulloret e brendshme, janë duke plotësuar normativën kur një zyrtar policor jep dorëheqje. Ne do të kalojmë në fazën tjetër që është konkursi për policë”, ka thënë Sveçla.

Ai po ashtu tha se situata në veri të vendit është duke u menaxhuar shumë mirë nga institucionet e vendit.

“Rezistenca e këtyre grupeve është e armatosur. Herë ka qenë e veshur me petk politik, e të cilët janë në ndjekje nga organet e Policisë së Kosovës. Të gjitha këto kanë shkaktuar një situatë tensioni e cila është duke u menaxhuar shumë mirë nga institucionet e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Sveçla. /Telegrafi/

Read Previous

Parlamenti Evropian shpall Rusinë shtet sponsorizues të terrorizmit

Read Next

​Policia e Kosovës thotë se po kujdeset për ruajtjen e rendit e sigurisë publike në veri