Për presidentin dhe themeluesin e “Eurasia Group”, Ian Bremmer, ky është “një moment tepër i rrezikshëm dhe përdorimi i energjisë bërthamore nuk duhet përjashtuar”.
“Situata në të cilën ndodhet Putini është e turpshme, planet e tij po prishen kundër shumë pengesave; mobilizimi i 300 mijë burrave është i ndërlikuar, nuk ka armatim apo kohë për të trajnuar rekrutët; dhe tani shpërthimi i urës së Kerçit ndërpret zinxhirin rus të furnizimit dhe tregon të gjithë cenueshmërinë e Moskës”.
Përsa i përket mbështetjes për Ukrainën, ai thotë se “BE-ja është kompakte, por unë jam i shqetësuar për Amerikën që mund të ndahet nga Trump”.
“Kjo është arsyeja pse, në këtë situatë të dëshpëruar”, thotë Ian Bremmer, “në një afat të shkurtër rreziku i një përshkallëzimi është i mundshëm”.
Sipas tij, Putin-i është në qoshe dhe ai mund të përdorë veprime hibride dhe të transformojë gjithnjë e më shumë konfliktin ukrainas në një luftë të nxehtë që përfshin NATO-n.
Në skenarin ekstrem, të rastit më të keq, nuk mund të përjashtohet përdorimi i energjisë bërthamore, shton Bremmer.
“Nuk mendoj se jemi në pragun e Apokalipsit, por sigurisht që është një moment tepër i rrezikshëm dhe Presidenti Biden në fakt ka të drejtë kur e kthen mendjen në vitin 1962 dhe raketat sovjetike të vendosura në Kubë”, vëren studiuesi amerikan.
Referuar përgjegjësisë së inteligjencës ukrainase për vrasjen e Duginas, presidenti i “Eurasia Group” sqaron se kjo nuk do të ketë pasoja në marrëdhëniet mes Kiev-it dhe SHBA-ve.
“Objektivi ishte Dugin, një teoricien i nacionalizmit rus që donte që Ukraina të fshihej nga harta dhe për këtë arsye Kievi e perceptoi atë si një armik. Me sulmin ata kanë treguar se janë të aftë të godasin brenda Rusisë. Kështu që unë nuk mendoj se sulmi kundër Dugin dhe të tjerëve si ai mund të dëmtojë kauzën e Kievit”, tregon ai.
Për Bremmer, e panjohura në këto momente është Amerika.
“Jam i shqetësuar për ndarjet sepse SHBA-të janë shumë më larg konfliktit. Dhe kështu ne shohim postimet e Elon Musk, ndikimi i të cilit këtu është më i rëndësishëm se diku tjetër; Donald Trump Jr. ka bërë thirrje për ndalimin e ndihmës për Ukrainën për t’iu përgjigjur dëmeve të uraganit Ian; Eksponentët e Maga-s nuk kanë folur kurrë publikisht në mbështetje të Kievit”, thekson studiuesi.
Sipas tij, kjo do të përçante Shtetet e Bashkuara, duke minuar pozicionin kompakt që po mban sot në mbështetje të Zelensky-t.
/La Stampa/Albanianpost.com