Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Këshillin Grevist të martën, deklaroi se nuk është në pyetje arsimi e mësimdhënësit, por se “do ta marrim vesh në ditët e javët në vazhdim”.
Në një konferencë për media, Kurti tha se të kërkosh përmbushje të plotë të kërkesave të sindikatës siç po bën SBASHK-u, është e palogjikshme dhe e rrezikshme.
“Kanë kërkuar 100 euro, ne kemi thënë 50 e ata ose krejt ose hiç. Nuk është e drejtë kjo mënyrë e shantazhit. Shteti nuk do të duhej të shantazhohej nga dikush që është më i zhurmshmi. Dhe jo për kushtet e punës, por për para”.
“Të kërkosh përmbushje të plotë të kërkesave është edhe e palogjikshme edhe e rrezikshme. Në ditët e javët në vijim do ta marrim vesh se çka është në pyetje. Nuk është në pyetje arsimi e as arsimtarët. Thanë do të konsultohemi me anëtarësinë e dolën para juve”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Ai tutje tha se në takim me Këshillin Grevist u kanë bërë ofertë shtesë që të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për Ligjin mbi Pagat. Për këtë ofertë, kreu i ekzekutivit ka thënë se kanë marrë premtim nga grevistët se do të diskutojnë me anëtarësinë, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
/Telegrafi/