Mbetjet e atij që mund të jetë dinosauri më i madh i gjetur ndonjëherë në Evropë janë zbuluar në një kopsht në Portugali.
Puna e gërmimit nisi në kopshtin e qytetit Pombal në vitin 2017, kur pronari vuri re fragmente të kockave të fosilizuara dhe kontaktoi studiuesit nga Universiteti i Lisbonës.
Në fillim të këtij muaji, paleontologët spanjollë dhe portugezë që punonin në vend, filluan të zbulojnë rruazat dhe brinjët e asaj që ata mendojnë se është një sauropod brachiosaurid.
Sauropodët ishin më të mëdhenjtë nga të gjithë dinosaurët dhe kafshët më të mëdha tokësore që kanë jetuar ndonjëherë.
“Nuk është e zakonshme të gjesh të gjitha brinjët e një kafshe si kjo, e lëre më në këtë pozicion, pra pozicionin e tyre origjinal anatomik”, tha Elisabete Malafaia, studiuese postdoktorale në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të Lisbonës.
Grupi i sauropodëve – i cili përfshin brontosaurusin dhe diplodocusin – ishin barngrënës, kishin qafë të gjatë dhe ecnin me katër këmbë.
Madhësia e eshtrave të gjetura në kopsht sugjeron se dinosauri ishte 12 metra i lartë dhe 25 metra i gjatë.
Për shkak të pozicionit natyror në të cilin u gjet skeleti, studiuesit shpresojnë se gërmimet e mëtejshme mund të zbulojnë më shumë pjesë të të njëjtit dinosaur.
Skeleti u gjet në shkëmbinjtë sedimentarë të Jurasikut të Sipërm, duke sugjeruar se është rreth 150 milion vjeç. /Albanianpost.com