Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar të ketë marrë ftesë për takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nga shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Mirëpo Kurti është shprehur i gatshëm të takohet me Vuçiqin në Bruksel, duke thënë se ishte presidenti i Serbisë ai që kërkoi të shtyhet takimi i 19 korrikut.
“Kemi pasur të takohemi më 19 korrik në Bruksel por (Vuçiq) ka kërkuar të shtyhet takimi për fund të muajit gusht, mbase ka qenë i zënë duke përgatitur atë që ndodhi dje, sepse ne është dashtë të takohemi më 19 korrik. Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret Borrell do të shkojë në Bruksel, një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi, kur ta kemi do ta bëjmë publike”, tha Kurti.
Kryeministri tutje tha se është për dialog të përgatitur mirë.
“Jemi për dialog të përgatitur mirë, të balancuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme të përqendruar në njohje reciproke”, tha Kurti.
/GazetaSinjali/