Kapitenia e Kombëtares së Suedisë, shqiptarja Kosovare Asllani, ka qenë kritike ndaj vendimeve të UEFA-s në lidhje me përdorimin e VAR-it dhe 50% kamera më pak në EURO 2022.
Suedezet do të përballen me Anglinë, me këto të fundit që janë pranë finales së parë të tyre historike, pasi mundën 2-1 në kohë shtesë Spanjën.
Skuadrës se Peter Gerhardsson i janë anuluar pesë gola këtë kampionat nga VAR-i.
Madje edhe ata që e ndjekin kampionatin, kanë qenë kritik ndaj tij, pasi merr shumë kohe gjatë ndeshjeve për të dhënë një vendim. Asllani beson se kjo është për shkak të mungesës së kamerave.
“Përdorimi i 50 për qind më pak të kamerave në turneun tonë sesa në lojën e meshkujve, kjo është me të vërtetë një katastrofë”, tha 32-vjeçarja.
“Vendimet nuk mund të merren me të njëjtën saktësi. Nuk është vetëm për ne, për skuadrat e tjera. Ka situata ku mendoj se duhet të keni më shumë kamera, që mund të jenë vërtet vendimtare”, vijoi ajo. /Albanianpost.com