Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do mblidhen sot në një seancë solemne për nder të presidentit shqiptar, Ilir Meta, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, raporton Gazeta Sinjali.
Vizita e fundit si president e Metës në Kosovë, ka nisur dje dhe do të zgjasë deri më 23 korrik.
Ai fillimisht do të pritet nga homologja e tij, Vjosa Osmani, dhe pastaj edhe nga kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
Në përmbyllje të vizitës së tij, ai bashkë me Osmanin do të jetë pjesë e hapjes solemne të Manifestës.
Për vizitën e presidentit shqiptar në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës, duke dhënë detaje për ofrimin e sigurisë për të.
“Sot, më 21 e deri më 23 korrik 2022, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta, së bashku me një delegacion shoqërues. Në kohën e ardhjes (pasdite) me 21 korrik, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Po ashtu edhe në ditën e kthimit, më 23 korrik, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës. Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik” thuhet tutje në njoftim.
Meta po e përfundon mandatin e tij duke ia lënë vendin Bajram Begajt.
/GazetaSinjali/