“Më në fund”.
Është ky reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi sot pro propozimin francez.
Për Ramën tashmë negociatat për anëtarësimin e venditnë Bashkimin Evropian s’kanë më asnjë pengesë.
Ai thekson se u deshën plot 3 vite “të stërmundueshme” nga vendimmarrja e Këshillit Evropian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave “artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht”.
“3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare – pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman”, shkruan kryeministri.
Numri një i Qeverisë njofton se delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit.
“Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë”. /Albanianpost.com