Në datën e rënies së burgut të Bastiljes në Paris, që shënon një nga pikëkthesat kyçe në ndarjen nga “Regjimin e Vjetër” siç thuhet rëndom dhe e cila kulmoi në Revolucionin Francez, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk la as pa identifikuar mangësi në kontekstin aktual politik të Bashkimit Evropian, duke iu referuar mësimeve konkrete që duhet nxjerr nga ato kohëra.
“Nuk mund ta sigurojmë veten sot se pa filozofinë e dritave dhe pa ngjarjet që shenjon 14 korriku, projekti evropian do të kishte mbërritur shkallën e sotme të integrimit. Por kërkohet sot që vetë deputetët e Evropës, zyrtarët e saj, ta kenë parasysh këtë potencën e ideve që e kanë inspiruar përgjatë dy shekujve”, shkroi kryeministri në Facebook.
“Nga parlamenti i Evropës duhet të lindin premisat që vetë populli i Evropës të jetë një popull i vëllazërisë, pra një popull ku nuk ka asnjë kolektiv që këput lidhjen mes individit dhe vullnetit të përgjithshëm. Për fat të keq, ne dëgjojmë nga eurodeputetë të sotëm fraza që shpallin aftësi diskriminuese”, shkroi mes tjerash ai.
Albin Kurti u thirr në filozofin zviceran Jean Jacques Rousseau duke shkruar se “kolektivat që këpusin lidhjen mes vullnetit të përgjithshëm dhe individit”.
“Për çka thashë më sipër, e shoh datën e 14 korrikut si një datë thelbësisht të dyfishtë, mes popullit të 1789-s dhe kombit të 1790-s, si një datë që duhet të inspirojë banorët Evropës”.
“Me këtë rast ia uroj Francës dhe francezëve, por edhe popullit të Kosovës, këtë datë dhe këtë ngjarje të shumëfishtë ku shkencat e artet bëjnë pjesë sa edhe politika e lirisë dhe drejtësia e barazisë! Kërkesa është e thjeshtë: nuk ka kontratë shoqërore kur dikujt i mohohet të përdorë mundësitë e tij, nuk ka kontratë shoqërore nëse humbja ose mohimi i vlerave të dikujt nuk shihen si humbje kolektive. Dhe duhet vullnet për të mbajtur këtë kontratë shoqërore. Pushteti na bën të harrojmë shpejt vullnetin që ruan institucionet, fuqia na bën shpejt të harrojmë shoqërinë njerëzore. Ngase, brenda ushtrimit të pushtetit, vullneti e ka të kundërtin e vet. Ky është cinizmi. Në direktivën e mosrënies në cinizëm na duhet rikujtimi sa më i vërtetë e i plotë i 14 korrikut dhe i tërë ngjarjeve që e rrethuan”, tha mes tjerash Kryeministri. /Albanianpost.com