92 ditë luftë në Ukrainë, ja si është situata

Presidenti dhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës i kanë kërkuar perëndimit  t’i dërgojë më shumë armë ushtrisë së tyre përballë sulmit në rritje të Rusisë në rajonin lindor të Donbasit. “Ne kemi nevojë për ndihmën e partnerëve tanë – mbi të gjitha armë për Ukrainën. Ndihmë e plotë, pa përjashtime, pa kufij, e mjaftueshme për të fituar”, tha Volodymyr Zelenskiy gjatë fjalimit të tij të fundit. Më herët gjatë ditës, Dmytro Kuleba tha në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se NATO nuk po bënte “praktikisht asgjë” për të ndihmuar Ukrainën.

*

Forcat ruse kanë nisur sulmet në qytete të reja në Ukrainën lindore, duke vënë gjithnjë e më tepër në rrezik qytetin e Sievierodonetsk nga rrethimi i plotë. Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai, tha se zona tani ishte pa furnizime me gaz dhe kishte ujë dhe energji të kufizuar pasi u godit stacioni i fundit i furnizimit me gaz.

*

Forcat ruse bombarduan më shumë se 40 qytete të tjera në Donbas të mërkurën, duke kërcënuar se do të mbyllnin rrugën e fundit kryesore të arratisjes për civilët e bllokuar në rrugën e pushtimit të tyre.

*

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, pritet të bëjë thirrje të enjten për ndihmë të mëtejshme ushtarake dhe sanksione për të ndihmuar Ukrainën gjatë një udhëtimi në Bosnje dhe Hercegovinë. 

*

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Andrei Rudenko, tha se Moska është e gatshme të sigurojë një korridor humanitar për anijet që transportojnë ushqime që të largohen nga Ukraina, në këmbim të heqjes së disa sanksioneve. Portet e Detit të Zi të Ukrainës janë bllokuar që nga pushtimi i Rusisë, me më shumë se 20 milionë tonë drithra të ngecura në kapanone në vend. Kuleba, e përbuzi pretendimin e Moskës dhe akuzoi Rusinë se po përpiqet të “shantazhojë botën”.

*

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se plani i Moskës për të thjeshtuar procesin e dhënies së shtetësisë ruse për banorët e rajoneve të pushtuara nga Rusia të Ukrainës, shkel ligjin ndërkombëtar. Deklarata e ministrisë erdhi pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret që thjeshton procesin e dhënies së shtetësisë ruse për banorët e rajonit Kherson dhe Zaporizhzhia të pushtuar nga Rusia.

*

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara do të vizitojë Moskën në ditët në vijim për të diskutuar mbi riaktivizimin e eksporteve të plehrave, tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.

*

Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas tha se do të ishte “shumë më e rrezikshme t’i dorëzohesh Putinit sesa ta provokosh atë” gjatë një fjalimi në Stokholm dhe paralajmëroi: “Të gjitha këto lëshime në dukje të vogla ndaj agresorit çojnë në luftra të mëdha. Ne e kemi bërë këtë gabim tashmë tre herë: Gjeorgjia, Krimea dhe Donbasi”

Burimi: The Guardian

Read Previous

Lija e majmunëve përhapet me shpejtësi, konfirmohen 219 raste në 19 vende

Read Next

Scholz: Putin do të negociojë, por vetëm më një kusht