Presidenti i FFK-së: Shpërblimet e Qeverisë ndezin motivin për Botërorin 2026

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur mirënjohje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendimin që të shpërblejnë ekipin kombëtar pas suksesit në “play-off” të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Në një reagim në “Facebook”, ai tha se kjo mbështetje institucionale përbën një vlerësim të qartë për punën dhe përkushtimin që kombëtarja ka treguar deri tani, si dhe një sinjal të fuqishëm besimi për rrugëtimin që po ndërtohet në futbollin kosovar.

Ademi theksoi se shpërblimet e caktuara para ndeshjeve vendimtare përbëjnë një motiv shtesë për futbollistët, të cilët tashmë janë maksimalisht të përqendruar për ta çuar Kosovën drejt objektivit historik, sigurimit të biletës për Botërorin 2026. Ai u shpreh se në këtë fazë çdo detaj dhe çdo lloj mbështetjeje ka rëndësi të madhe.

Presidenti i FFK-së falënderoi të gjithë ata që po qëndrojnë pranë Kombëtares dhe po e mbështesin futbollin kosovar, duke theksuar se ky kontribut është jetik në rrugëtimin e ekipit kombëtar. “Bashkë po e shkruajmë historinë”, përfundoi Ademi reagimin e tij. /KosovaPress/

Read Previous

​Ndërpritet greva pas lëshimit të mjeteve financiare për RTK-në

Read Next

Me këngë e valle festohet 28 Nëntori në çerdhen në Rezinë