29 ton ndihma në Libi, 20% e popullsisë së Dernës rezulton e vdekur ose zhdukur në ujë

Një paketë e madhe ndihmash, që përfshin furnizime mjekësore por edhe çanta për trupat e pajetë, ka mbërritur në Libinë e goditur rëndë nga përmbytjet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se 29 ton furnizime shëndetësore, të mjaftueshme për pothuajse 250,000 njerëz kanë zbritur ditën e djeshme në Bengazi.

Furnizimet, të cilat do të shkojnë në spitale dhe qendra shëndetësore, përfshijnë ilaçe thelbësore, pajisje kirurgjikale për traumat dhe pajisje të tjera mjekësore, si dhe çanta trupash për lëvizjen dhe varrimin e sigurt dhe dinjitoz të të vdekurve.

Sakaq, OBSH-ja dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare të ndihmës në rast emergjencash u kanë kërkuar autoriteteve libiane të ndalojnë varrosjen e viktimave të përmbytjeve të së dielës së shkuar në varreza masive.

Sipas ekspertëve varre të tilla mund të sjellin shqetësim mendor afatgjatë për familjet, ose të shkaktojnë rreziqe shëndetësore nëse ndodhen pranë ujit.

Kjo është një fatkeqësi me përmasa epike“, tha Dr Ahmed Zouiten, përfaqësuesi i OBSH-së në Libi.

Edhe Zyra e Jashtme e Komonuelthit të Mbretërisë së Bashkuar ka akorduar një paketë ndihmash prej 10 milionë paund, që shkon jo vetëm për Libinë, por edhe Marokun, ku mijëra persona mbetën të vdekur nga tërmeti që goditi vendin.

Një ekip i specializuar mjekësor i urgjencës i udhëhequr nga ekspertë të shëndetit dhe kanalizimeve do të dërgohet gjithashtu në Libi për të ofruar vlerësime të shpejta mjekësore në zonat e prekura nga katastrofa.

Ndihma nga jashtë vjen në një kohë kur qyteti Derna po lufton për të varrosur në kohë mijëra kufoma që po kalben nën rrënoja.

Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Libiane, deri të enjten u regjistruan 11,300 të vdekur nga përmbytjet në Derna, ndërsa 10,100 persona të tjerë u raportuan të zhdukur dhe ka shumë pak shpresë se ndonjë prej tyre do të gjendet i gjallë.

 “Në vetëm dy orë një nga kolegët e mi numëroi mbi 200 trupa në plazhin afër Dernës. Një e pesta e popullsisë së qytetit ka vdekur ose është zhdukur”, tha Bilal Sablouh, menaxher rajonal i mjekësisë ligjore për Afrikën në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Edhe korrespondenti i Sky News Africa, Yousra Elbagir, tha në një përditësim nga Derna të shtunën se “të paktën 20% e popullsisë së qytetit ka vdekur ose zhdukur në ujë”.

/a2cnn/

Read Previous

Dy trafikantë shqiptarë kapen me 58 kg drogë dhe 400 mijë euro në Itali

Read Next

Të paktën 5 persona janë shëruar nga HIV, a po merr fund pandemia e SIDA-s?