Rivaliteti Messi-Ronaldo diskutohet në parlamentin australian
Sot shënohen 109 vjet nga lindja e akademikut Idriz Ajeti, njërit prej gjuhëtarëve dhe albanologëve më të shquar shqiptarë, i cili la gjurmë të pashlyeshme në studimin e gjuhës shqipe, arsimin e lartë dhe zhvillimin e institucioneve shkencore në Kosovë.
Idriz Ajeti lindi më 26 qershor 1917 në Tupallë të Jabllanicës së Epërme. Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Filozofik të Beogradit, ndërsa më pas zhvilloi një karrierë të gjatë akademike si profesor në Universitetin e Prishtinës, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të albanologëve.
Veprimtaria e tij shkencore u përqendrua në historinë e gjuhës shqipe, dialektologji, etimologji dhe marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-sllave. Ai ishte ndër nismëtarët e përpjekjeve për njësimin e gjuhës standarde shqipe dhe mori pjesë aktive në konsultat e rëndësishme gjuhësore që i paraprinë Kongresit të Drejtshkrimit.
Ajeti ishte iniciator i themelimit të revistës shkencore “Gjurmime Albanologjike” në vitin 1962 dhe i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në vitin 1974, dy institucione që vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm në studimet albanologjike.
Gjatë karrierës së tij mbajti një sërë detyrash të rëndësishme akademike dhe universitare. Ai ishte drejtor i Institutit Albanologjik, dekan i Fakultetit Filozofik, rektor i Universitetit të Prishtinës, si dhe në dy mandate kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Trashëgimia e tij përfshin dhjetëra libra, studime shkencore, tekste universitare dhe qindra artikuj që trajtojnë historinë, zhvillimin dhe standardizimin e gjuhës shqipe. Veprat e tij mbeten referencë e rëndësishme për studiuesit e albanologjisë dhe historisë së gjuhës shqipe.
Në përvjetorin e lindjes së tij, akademiku Idriz Ajeti kujtohet si një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencës shqiptare, puna dhe vepra e të cilit vazhdojnë të jenë themel i studimeve gjuhësore dhe i zhvillimit të albanologjisë./KultPlus.com