Xhudistët kosovarë përgatiten në Japoni për garat e ardhshme
Katër xhudistë kosovarë po marrin pjesë në një kamp intensiv stërvitor në Tokio të Japonisë, ku po përgatiten për garat e ardhshme.
Kampi, i cili ka nisur më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 21 gusht, është një mundësi e rëndësishme për xhudistët kosovarë që të ngritin formën dhe të fitojnë përvojë nga një prej vendeve me traditën më të madhe në këtë sport.
Kosovën në këtë kamp po e përfaqësojnë Jon Kuka, Blin Kuka, Milot Gashi dhe Roni Reshitaj, nën udhëheqjen e trajnerit japonez Shuusuke Fujiwara.
Gjatë qëndrimit në Tokio, xhudistët kosovarë po stërviten çdo ditë me sportistë të nivelit të lartë nga Tokio dhe pjesë të ndryshme të Japonisë.
Pjesëmarrja në këtë kamp u mundëson atyre të njihen nga afër me metodat japoneze të stërvitjes dhe teknikat tradicionale të xhudos, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të përgatitjes së tyre.
Ky kamp stërvitor është pjesë e përgatitjeve të xhudistëve kosovarë për garat e ardhshme, me synimin për të vazhduar avancimin dhe për të arritur rezultate sa më të mira në arenën ndërkombëtare. /KosovaPress/