​Targat ilegale në veri, 471 vetura regjistrohen për katër ditë

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka folur rreth procesit të kalimit nga targat ilegale në ato RKS në katër komunat veriore.

Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se për katër ditë janë regjistruar gjithsej 471 vetura në RKS.

Sveçla ka thënë se regjistrimi po ndodh pasi në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq dhe të tjerë.

Postimi i plotë:

Qytetarët tanë i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për 4 ditë.

Kjo pasi që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjashëm.

Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste.

Se shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës.

Shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cenimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit tonë.

Ky rezultat është falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi./KP/

Read Previous

Sot zhvillohet derbi londinez, Tottenham-Chelsea

Read Next

OKB thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza