​Osmani: Të zhdukurit me dhunë janë thirrja jonë për drejtësi, Meja dhimbje e madhe e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e masakrës së Mejës ka theksuar se kjo ditë është përkujtim, pritje e ankth për familjarët dhe shtetin e Kosovës.

“Janë mbi 1600 të zhdukur me dhunë, thirrja jonë për drejtësi, e cila do të vihet në vend kur para saj do të dalin autorët e krimeve dhe do të zbardhet fati i secilit nga njerëzit tanë. Duam dhe do të insistojmë të dijmë për fatin e tyre”, ka thënë Osmani.

Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se presidentja Osmani ka thënë po ashtu se forcat e regjimit gjenocidal, kanë kryer edhe shumë krime të tjera monstruoze në Kosovë, e ndër më të tmerrshmet është Masakra e Mejës, në të cilën u vranë barbarisht 376 djem e burra shqiptarë.

“Synimi i regjimit gjenocidal serb ishte spastrimi etnik ndaj aksioni kriminal u shtri në 15 fshatra të Rekës së Keqe dhe Luginës së Çarragojës në Gjakovë. Meja është dhimbje e madhe e Kosovës dhe ndër rrëfimet më të përgjakshme të luftës. Nuk do ta harrojmë kurrë, sepse vetëm kësisoj do ta dimë vlerën e lirisë dhe shtetit. Do t`i kujtojmë përherë martirët e Mejës duke u angazhuar vazhdimisht që autorët të vihen para drejtësisë”, ka theksuar ajo në përkujtimin e Masakrës së Mejës.

Osmani ka thënë se do të bëjnë çdo ditë përpjekje që pritja e familjeve të marrë fund. 

Read Previous

Kurti merr letër falënderimi nga Von der Leyen dhe Trudeau për përkrahjen për Ukrainën

Read Next

Putin përmend sërish Kosovën, tenton ta krahasojë me agresionin e tij ushtarak në Ukrainë