​Nesër nis mësimi, Ministria e Arsimit kërkon bashkëpunim për kompensimin e orëve

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se nesër fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

MAShTI thotë se i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK.

Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla.

Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Ministria e Arsimit ka ftuar për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës.

Gjithashtu, MAShTI njofton se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit. Teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla.

Ministria e Arsimit ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor.

Read Previous

Vjen reagimi i FIFA-s pas tragjedisë në Indonezi, presidenti merr vendimin e dhimbshëm për kampionatin

Read Next

Mot i mirë në javën e parë të tetorit