​Kurti vizitoi kontingjentin e ushtarëve të FSK-së që po zhvillojnë trajnime në Iowa

Gjatë qëndrimit të tij në shtetin e Iowa-s të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitoi kontingjentin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po zhvillojnë trajnime atje së bashku me ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s. Aty u takua me ushtarët Lulëzim Statovci, Fidan Nishevci, Arianitë Prushi dhe Malsor Haxhiu.

Duke theksuar se Garda Kombëtare e Iowa-s ka qenë dhe vazhdon të jetë kyçe në ngritjen profesionale të FSK-së dhe në përgatitjen profesionale drejt arritjes së standardeve të NATO-s, kryeministri Kurti vlerësoi edhe bashkëpunimin e vitit të kaluar, kur së bashku me trupat amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s, FSK realizoi misionin e parë dhe historik të zbarkimit në shtetin e Kuvajtit.

Kryeministri Kurti u shprehu mirënjohje ushtarëve tonë për krenarinë që na e sjellin me përkushtimin e tyre për t’i shërbyer vendit. Ai tha se angazhimi i përditshëm në trajnime për të avancuar aftësitë dhe shkathtësisë e tyre dhe forcës sonë është jetik në përkushtimin e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe siguri në rajon.

“Nëpërmjet rritjes së buxhetit për mbrojtje për 52%, Qeveria po dëshmon synimin e saj që duke ngritur kapacitetet profesionale të FSK-së të kemi një forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese për të mbrojtur vendin, por edhe të bashkëpunojë me partnerë e aleatë në ruajtje të paqes në rajon e botë”, citohet Kurti në komunikatën për media të Kryeministrisë.

Në këtë vizitë ai po ashtu falënderoi pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s për mbështetjen e tyre për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për partneritetin e ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

/KosovaPress/

Read Previous

Moti në Gjakovë për ditët në vijim

Read Next

Ekspertët paralajmërojnë për dy variante të reja “shqetësuese” të Omicron