​Kosova dhe Shqipëria gati për sfidat e play off-it të Botërorit 2026

Përfaqësuesja e Kosovës do të zbresë sot në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, teksa përballet me Sllovakinë në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Ndeshja zhvillohet në Bratisllavë dhe fillon nga ora 20:45. Kjo pritet të jetë një sfidë e fortë për “Dardanët”, të cilët kanë treguar formë të mirë në ndeshjet e fundit dhe besojnë në një rezultat pozitiv edhe në transfertë.

Atmosfera në kampin e Kosovës gjatë ditëve të fundit ka qenë shumë pozitive, me futbollistët që kanë shfaqur përkushtim maksimal në përgatitje.

Përzgjedhësi Franco Foda dhe stafi i tij kanë analizuar në detaje kundërshtarin, ndërsa skuadra synon të shfrytëzojë momentin e mirë për të siguruar një vend në finale.

Në rast fitoreje ndaj Sllovakisë, Kosova do të përballet me fituesin e ndeshjes Turqi–Rumani, me finalen që do të zhvillohet më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo ndeshje konsiderohet si një hap shumë i madh drejt realizimit të ëndrrës për pjesëmarrje në një Kupë Bote, ndërsa mbështetja e tifozëve pritet të jetë e madhe për ekipin kombëtar.  /KosovaPress/

Shqipëria

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zbresë sot në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme të saj, teksa përballet me Poloninë në fazën “play-off” të Kupës së Botës 2026.

Takimi do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë, ku kuqezinjtë synojnë një rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit. Ndeshja do të drejtohet nga arbitri anglez, Anthony Taylor.

Në total, Shqipëria dhe Polonia janë përballur 15 herë mes tyre, me bilancin që favorizon polakët: 10 fitore për Poloninë, 3 barazime dhe 2 fitore për Shqipërinë.

Ky historik dëshmon vështirësinë e sfidës, por nuk përjashton surpriza në përballjet e ardhshme.

Ndeshja e parë mes dy skuadrave daton në vitin 1949, ku Polonia fitoi 2-1 në një takim miqësor.

Shqipëria regjistroi fitoren e saj të parë në vitin 1953, duke triumfuar 2-0 në shtëpi me gola të Loro Boriçit dhe Refik Resmjes.

Në dekadat në vijim, Polonia ka dominuar kryesisht përballjet, sidomos në ndeshjet kualifikuese për kompeticionet madhore. Megjithatë, kujtimi më i fundit është pozitiv për kuqezinjtë. Shqipëria fitoi 2-0 ndaj Polonisë më 10 shtator 2023 në Tiranë, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me gola të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.

Ky sukses ka rritur ndjeshëm besimin në skuadër dhe ka ndryshuar perceptimin për diferencat mes dy ekipeve, duke shtuar optimizmin në prag të sfidës së sotme.

Polonia konsiderohet favorite për shkak të faktorit fushë, por Shqipëria synon të përsërisë paraqitjen pozitive të viteve të fundit dhe të përmbysë historikun mes dy skuadrave.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit njofton se të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët shqiptarë për këtë ndeshje janë shitur. FSHF falënderon tifozët për mbështetjen dhe i fton të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga organizatorët.

Ndeshja e sotme konsiderohet një test kyç për ambiciet e Shqipërisë në rrugën drejt Botërorit 2026, ndërsa kuqezinjtë do të kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv për të vijuar ëndrrën e madhe të kualifikimit. /ATSH/

Read Previous

Partitë politike mirëpresin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e presidentit

Read Next

Rama”: Ne duhet të flasim me të gjithë, përveç terroristëve si regjimi i mullahëve