​Haxhiu: Duhet t’i tregojmë Komisionit të Venecias nevojën që e ka Kosova për vetingun

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shpreson që partnerët ndërkombëtar të pajtohen me reformën në sistemin e drejtësisë në Kosovë përmes vetingut.

Ajo gjithashtu ka deklaruar se një delegacion nga Komisioni i Venecias do të qëndrojë javën e ardhshme në Kosovë dhe ka shtuar se atyre do t’u tregojnë për nevojën që e ka Kosova për vetingun. Haxhiu ka folur në një tryezë me deputetë dhe shoqëri civile ku ka thënë se Qeveria dhe Kuvendi nuk do të kenë ndikim në mekanizmin e pavarur të vetingut ndërsa ka shtuar se i njëjti do të monitorohet nga partnerët ndërkombëtar.

Në diskutimin e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike(GLPS) dhe Komisioni për Legjislacion “Në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias për Koncept-dokumentin për Vetting”, ministrja e Drejtësisë ka thënë se vetingu nuk do të jetë proces hakmarrës ndaj personave të caktuar.

Haxhiu: Mekanizmi i pavarur i vetingut do të monitorohet nga partnerët ndërkombëtar

“As Qeveria dhe as Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk do të ketë fare ndikim në mekanizmin e pavarur që do të themelohet, ai do të jetë komplet i pavarur dhe po ashtu do të monitorohet nga partnerët tanë ndërkombëtar, e po ashtu edhe përzgjidhja e personave që do të jenë në mekanizmin e pavarur të vetingut do të ndihmohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë, specifikisht nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se delegacioni nga Venecia i cili do të qëndrojë në Kosovë më 18,19 dhe 20 maj do të zhvillojë takime edhe në Presidencë, Zyrën e kryeministrit, në Kuvendin e Kosovës dhe me shoqërinë civile.

Haxhiu: Delegacionit të Venecias e kemi obligim t’u tregojmë për nevojën që e ka Kosova për vetingun

“Më lejoni të ju njoftoj se ne jemi duke diskutuar në vazhdimësi me ta dhe presim që ata(partnerët ndërkombëtar) të binden për nevojën e reformës në drejtësi përmes vetingut. Gjithashtu sa i përket asaj se çfarë mund të jetë opinioni i Venecias në raport me vetingun, ne presim që më 18, 19 dhe 20 maj një delegacion nga Komisioni i Venecias, pra raportuesit që janë përgjegjës për opinionin për vetingun të vijnë në Kosovë, ata kanë planifikuar që të takohen me të gjitha institucionet relevante. Ne e kemi obligim që në këto takime t’u tregojmë atyre për nevojën që ka Kosova për vetingun dhe tash ne jemi optimist por natyrisht që nuk mund të themi asgjë me siguri derisa ta kemi opinionin e Venecias, besojmë që është shumë e rëndësishme që ata ta kuptojnë sakë situatën në Republikën e Kosovës dhe unë jam jashtëzakonisht e dëshpëruar se mekanizmat aktual të cilët janë në kudër të institucioneve të drejtësisë nuk janë zbatuar dhe nuk janë përdorur”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se brenda pesë viteve është planifikuar që vetingu të përfundojë ndaj të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.

Ndërsa kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku ka thënë se në koncept-dokument nuk janë marrë parasysh propozimet e tyre dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Maloku: Koncept dokumenti për vetingun ka shumë të panjohura

“Ne mendojmë se vetingu nëse është për një pushtet dhe mund të jetë kauzë pse jo, ne mendojmë se mund të ketë përkundrazi komplikime ligjore dhe kushtetuese tek ne në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, këtë bile me pasoja shumë të mëdha për të dy sistemet për cilat kaq vite është dhënë mund dhe mbështetje edhe vendore dhe ndërkombëtare që ta kemi një sistem të tillë të avancuar, funksional dhe të mirëfilltë. Ka shumë të panjohura për neve ky koncept dokument, nuk kemi marrë pjesë në finalizimin e këtij dokumenti kaq të rëndësishëm, përfaqësuesit tanë të dy këshillave janë anashkaluar dhe nuk kanë gjetur vend për fat të keq të gjitha ato propozime, çështje kryesore që janë dhënë nga dy grupet tona që kanë dalë nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial”, ka thënë ai.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj e ka kritikuar qeverinë për mungesë të transparencës në këtë çështje.

Selmanaj: Nuk besoj që transformimet rrënjësore mund ta përmirësojnë sistemin e drejtësisë

“Unë nuk mund të them se çfarë pres nga Komisioni i Venecias sepse nuk e di as çfarë ka dërguar Qeveria po them publikisht nuk e kam lexuar koncept-dokumentin sepse nuk e kam pasur në dispozicion, as nuk jemi konsultuar si parti politike paraprakisht për atë dokument që do të dërgohet atje, për atë modalitet, por një e di, që Komisioni Evropian ka kundërshtuar idenë e një rivlerësimi të përgjithshëm sepse nga përvoja e të kaluarës në vendet e tjera dyshojnë që mund të ketë sukses, prandaj nëse qëndrimi i Qeverisë është kundër këtij vlerësimi të Komisionit Evropian mendoj që ngjashëm do të jetë edhe Komisioni i Venecias i cili mund të shpreh shqetësimet e tyre për rreziqet që mund të dalin si rezultat i një përpjekje për transformim rrënjësor. Unë nuk besoj se transformimet rrënjësore mund ta përmirësojnë sistemin”, ka thënë Selmanaj.

E Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se vetingu duhet të ketë qëllim primar ngritjen e cilësisë së sundimit të ligjit.

Tahiri: Vetingu nuk duhet të ketë qëllim shtrirjen e pushtetit politik në sektorin e drejtësisë

“Vetingu nuk duhet të ketë për qëllim shtrirjen e pushtetit politik në këtë sektor, pro duhet të ketë qëllim primar të ngritjes së cilësisë së sektorit të sundimit të ligjit që lidhet me procesin e integritetit, me më shumë drejtësi, dhe mbi të gjitha ma pastërti. Vetingu definitivisht synon më shumë drejtësi, më shumë integritet, fuqi, guxim me marrë vendime dhe pastërti. Ajo që dua të them në emër të subjektit që përfaqësoi është që duhet të kuptojmë se reformat në përgjithësi, në veçanti reformat në drejtësi nuk janë një akt i vetëm i një vendimi, janë një proces mirë i konsultuar me hisenikët, prokurorinë dhe gjykatën, trajtimi në aspektin politik se si ne do të votojmë”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi u ka bërë thirrje anëtarëve të Komisionit të Venecias që të japin dritën e gjelbër për implementimin e këtij procesi.

Rrustemi: Vetingu është zgjidhja e vetme për të rikthyer kredibilitetin në sistemin e drejtësisë

“Nga këtu do të kisha dashur të inkurajoj edhe anëtarët e Komisionit të Venecias që t’i japin dritë të gjelbër implementimit të këtij procesi për vendin tonë që është zgjidhja e vetme dhe më e mira për ta rikthyer kredibilitetin në sistemin e drejtësisë dhe të njëjtin ta bëjmë meritor, efikas dhe funksional”, ka thënë ai.

Ndërsa Rreze Hoxha nga GLPS ka thënë se çështja e vetingut ka ardhur si kërkesë e domosdoshmërisë së Kosovës për shkak të rezultateve të pakta të sistemit të drejtësisë në vënien e drejtësisë në vend.

Hoxha: Qytetarët dhe shoqëria civile kërkojnë reformë substanciale në sistemin e drejtësisë

“Një problem tjetër kryesor me të cilin përballet sistemi i drejtësisë në Kosovë është edhe niveli i besimit qytetar karshi punës së këtij sistemi dhe efikasitetit. Fatkeqësisht ndër vite besimi qytetar ndaj sistemit të drejtësisë po shkon nga ulja dhe jo nga ngritja që është shumë shqetësuese dhe tregon që edhe qytetarët njëjtë si shoqëria civile dhe të tjerët kërkojnë që një reformë le të themi substanciale të bëhet në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ajo.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se duhen garanci që ky proces nuk do të mund të përdoret politikisht.

Shala: Procesi i vetingut kërkon garancione objektive se ky proces nuk do të mund të përdoret politikisht

“Procesi i vetingut kërkon garanci objektive se ky proces nuk do të mund të përdoret nga politika në mënyrë që me shtri ndikimin e vet politik. Veçanërisht për komunitetin e profesionistëve është tërësisht jo relevante një premtim se nuk do ta përdorim dhe një akuzë se do ta përdorni, thjeshtë kërkohet që grupi me dhënë garanci se ka me pasur përparësi objektive e që kjo definitivisht se është e mundshme”, ka thënë ai. /KosovaPress/

Read Previous

21 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Read Next

Sot u përurua fusha sportive në afërsi të shkollës “Fehmi Agani”