​Eurozona: Inflacioni në tetor shënoi një rekord të ri

Rritja ekonomike në Eurozonë u ngadalësua edhe në tremujorin e tretë, me një rritje 0.2 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm, ndërsa inflacioni u përshpejtua në tetor dhe arriti një rekord të ri 10.7 për qind, sipas të dhënave të publikuara sot nga agjencia evropiane e statistikave Eurostat.

Ekonomitë e Eurozonës u treguan më elastike se sa pritej në tremujorin korrik-shtator, pavarësisht përshpejtimit të rritjes së çmimeve, të nxitur nga lufta në Ukrainë, por duke rritur rrezikun e një recesioni.

Megjithatë, treguesit më të mirë se sa pritej ende konsiderohen vetëm si një shenjë pushimi, pasi çmimet vazhdojnë të rriten me luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike, dhe tregues të tjerë tregojnë tashmë një rënie të aktivitetit ekonomik, sipas ekspertëve.

“Nuk është më nëse do të hyjmë në një recesion, por sa i thellë do të jetë ai… një recesion është i pashmangshëm në Eurozonë këtë dimër,” paralajmëruan analistët nga Oxford Economics.

Inflacioni vjetor arriti në 10.7 për qind në tetor dhe në shtator ishte 9.9 për qind, tashmë më i larti që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave statistikore në vitin 1997.

Franca, e cila vendosi masa për mbrojtjen e konsumatorëve, shënon inflacionin më të ulët në Evropë (7.1 për qind), sipas të dhënave të harmonizuara të Eurostat.

Inflacioni gjerman në tetor ishte 11.6 për qind. Vendet baltike, veçanërisht të ekspozuara ndaj pasojave të luftës në Ukrainë, kishin inflacionin më të lartë, i cili arriti në 22.4 për qind në Estoni, 22 për qind në Lituani dhe 21.8 për qind në Letoni.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit kontribuojnë në inflacion krahas çmimit të produkteve energjetike, i cili u rrit me 13.1 për qind, ndërsa çmimet e produkteve energjetike u rritën me një rritje astronomike prej 41.9 për qind.

Ekonomistët thonë se rritja e çmimeve është arsyeja kryesore e ngadalësimit ekonomik dhe shumë parashikojnë se aktiviteti ekonomik do të ulet jo vetëm në muajt e fundit të këtij viti, por edhe në pjesën e parë të asaj vijuese.

Inflacioni më i lartë bëri që Banka Qendrore Evropiane të rrisë normat e interesit me ritmin më të shpejtë në historinë e saj: dy rritje prej tre të katërtat e një pikë përqindjeje më 8 shtator dhe 27 tetor. Kjo ka rritur koston e kredisë për kompanitë dhe qeveritë dhe ka nxitur shqetësimet se lufta kundër inflacionit do të dëmtojë rritjen ekonomike. /KP/

Read Previous

Musk mohon raportimin se planifikohet shkarkimi masiv i punëtorëve nga Twitteri

Read Next

Moti në Gjakovë