​Abdixhiku: Le të jetë ditë feste, Kosova duhet të jetë krenare me procesin zgjedhor

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka quajtur ditë feste zgjedhjet e sotme lokale.

Ai pasi votoi në kryeqytet, tha se zgjedhjet e sotme janë ditë kur vendimmarrja kthehet te qytetarët për katër vitet e ardhshme.

“Zgjedhjet në Kosovë gjithmonë kanë qenë, janë dhe do të mbesin festë e madhe e demokracisë. Janë ditë kur vendimmarrja kthehet te qytetarët e Kosovës për katër vitet e ardhshme, për qytetet, lagjet dhe fshatrat e tyre. Le të urojmë, punojmë dhe shpresojmë që Kosova do të jetë shembull i organizimit të zgjedhjeve, demokracisë dhe vullnetit të lirë të qytetarëve të Kosovës… Le të jetë ditë feste dhe ditë e demokracisë. Kosova duhet të jetë krenare me procesin zgjedhor”, tha ai.

I pyetur për mbledhjen e qytetarëve nga Lista Serbe në Mitrovicë të Veriut që të votojnë në mënyrë të organizuar, Abdixhiku tha se ai bazohet në organet zyrtare KQZ-në, Prokurorinë dhe Policinë dhe se iu beson të njëjtave.

“Unë do të bazohem në organet zyrtare të Kosovës, KQZ-në, Prokurorinë e Kosovës dhe Policinë e Kosovës. LDK dhe unë shpreh mbështetjen dhe besimin e plotë në këto tri institucione. Çdo vendimmarrje e tyre do të jetë vendimmarrja jonë,” përfundoi ai.

Numri i përgjithshëm i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës në Prishtinë është mbi 224 mijë. Ndërkaq, janë 54 qendra të rregullta votimi, me 268 vendvotime dhe një qendër votimi me kusht. /KosovaPress/

Read Previous

Përditësohen të dhënat: Më shumë se 7% e qytetarëve kanë votuar deri tash, prin Prishtina me 18 mijë votues

Read Next

Memli Krasniqi: Besoj se do të votojmë edhe më 9 nëntor në balotazh, e në dhjetor në zgjedhje parlamentare