​41 pacientë të infektuar me HIV në repartin e Klinikës Infektive

Në vitin 2021, në Kosovë janë regjistruar 8 raste të reja me HIV infeksion, prej tyre 7 janë nga komuniteti meshkujt që bëjnë marrdhënie me meshkuj (MSM) dhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç, ndërsa aktualisht në Klinikën Infektive shërbime mjekësore pas infektimit me HIV-AIDS po marrin 41 pacientë.

Në Kosovë gjinia më e atakuar nga ky lloj infektimit është ajo mashkullore, ndërsa me përqindje të infektimit prijnë moshat e reja.

Kështu ka bërë të ditur shefi i Repartit për HIV brenda Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Murat Mehmeti.Ai tha se gjendja e këtyre pacientëve është relativisht e mirë dhe se trajtimi i tyre bëhet në kushte shtëpie.

Mehmeti thotë se moshat më të prekura nga ky lloj infeksioni për të cilën ende nuk është zbuluar një vaksinë janë kryesisht të rinjtë.

Shefi i Repartit për HIV brenda Klinikës Infektive pranë QKUK-së, Murat Mehmeti po ashtu theksoi se kjo Klinik është e furnizuar mirë me këtë terapia mjekësore për të infektuarit me këtë virus.Ai madje u shpreh se barnat ofrohen falas për këta pacientë.

Duke qenë që edhe në vitin 2021 Kosova vazhdon të ballafaqohet edhe me pandeminë COVID-19 të gjithë pacientët e infektuar me HIV/AIDS kanë marr të gjitha shërbimet mjekësore të duhura.

Ndërsa, Instituti Kombëtar I Shëndetit Publik të Kosovës thonë se në Kosovë deri më tani janë raportuar 139 raste me HIV dhe AIDS.

Përqindja më e lartë i takon gjinisë mashkullore me gjithsej 73%.

Gjatë ditës së sotme edhe ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për tu testuar në kohë për virusin HIV.

Nga ministria e Shëndetësisë deklarohen po ashtu se për trajtimin e pacientëve të infektuar me HIV është arritur të sigurohet terapia ARV.

Rasti i parë i infektimit me HIV/AIDS në Kosovë është regjistruar në vitin 1986. Transmetimi i HIV-it mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut si gjaku./KP

Read Previous

U shënua sot dita botërore e luftës kundër HIV/AIDS

Read Next

Planifikohet krijimi i Ligës Unike të veteranëve në hendboll