• 8 February, 2023

​“Thaçi dhe të tjerët”, njohësit mbështesin kërkesën për një pikë kontakti në Qeveri

Ende nuk dihet nëse Qeveria e Kosovës do të caktojë një përfaqësues i cili do të shërbente si pikë kontakti për të përshpejtuar kërkesat e mbrojtjes së të akuzuarve në rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar nëse në adresë të saj është drejtuar një kërkesë e tillë nga Zyra Administrative, ndërsa në Dhomat e Specializuara të Kosovës thonë se ende nuk ka ndonjë dokument publik në gjykatë lidhur me këtë çështje.

Në konferencën e fundit statutore, mbrojtja e Kadi Veselit ka kërkuar caktimin e një përfaqësuesi brenda Qeverisë së Kosovës i cili do të shërbente si pikë kontakti për të përshpejtuar kërkesat e mbrojtjes për ndihmë dhe informacion. Sipas mbrojtjes, ky përfaqësues do të ishte i dobishëm në veçanti tani kur po afrohet fillimi i gjykimit.

Pas kërkesës së mbrojtjes së Veselit, në konferencën e fundit statutore gjykatësi i procedurës paraprake ka kërkuar nga Zyra Administrative që të kontaktojë me autoritetet përkatëse në Kosovë për të gjetur një zgjidhje sipas kërkesës së mbrojtjes.

“Gjykatësi i procedurës paraprake kërkoi nga Sekretaria që t’i raportojë atij për këtë çështje pasi ta kishin ngritur çështjen me autoritetet e Kosovës. Sekretaria mund ta bëjë këtë ose nëpërmjet një parashtrese me shkrim, ose gojarisht gjatë konferencës së statusit të ardhshëm. Nëse një parashtresë me shkrim është publike, ajo publikohet në faqen e internetit të DHSK-së. Deri më tani, asnjë dokument i tillë nuk është publikuar në faqen e internetit të DHSK-së. Nëse Sekretaria jep informacionin gojarisht gjatë konferencës së ardhshme statutore, do të duhet të presim derisa tema të trajtohet në sallën e gjykatës për të mësuar më shumë rreth kësaj çështje”, ka thënë në një përgjigje me shkrim zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep.

Për këtë çështje KosovaPress ka drejtuar pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë ku kanë thënë se në këtë kohë nuk mund të flasin për këtë çështje.

Megjithatë një kërkesë po mbështetet nga avokatët dhe monitoruesit e punës së Gjykatës Speciale në Kosovë dhe sipas tyre kjo do të ndihmonte në efikasitetin e procedurës.

Qerkini: Rasti Thaçi dhe të tjerët është zvarritur shumë

“Një kërkesë e kësaj natyre është shumë e arsyeshme siç e dini edhe ju lënda e zotit Veseli, Thaçi dhe të tjerëve është zvarritur shumë dhe caktimi i një oficeri për komunikim me mbrojtjen nga ana e Qeverisë së Kosovës do të ishte e mirëseardhur sepse mbrojtja do të kishte vetëm një adresë në mënyrë që të kërkojë dokumente të nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe padyshim që caktimi i një personi të tillë do të jetë në funksion të efikasitetit të procedurës”, thotë avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Artan Qerkini.

Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se caktimi i një pike kontakti në mes të qeverisë dhe mbrojtjes do të krijonte lehtësira, që sipas saj, janë të nevojshme për përgatitjen e çështjes së mbrojtjes.

Kadriu: Përfaqësuesi do të krijonte lehtësira për mbrojtjen në përgatitjen e çështjes

“Padyshim që caktimi i një përfaqësuesi si pikë kontakti për të përshpejtuar kërkesat e mbrojtjes do t’i kontribuonte mbrojtjes në përgatitjen e tyre efektive për gjykim si dhe do t’i krijonte lehtësirat të cilat janë të nevojshme për ta në mënyrë që të përgatisin çështjen e tyre”, thotë Kadriu.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar obligon institucionet Republikës së Kosovës të bashkëpunojnë me gjykatën dhe palët e tjera në procedurë.

“Duke i pasur parasysh të drejtat e të akuzuarit të përcaktuara në nenin 21, të gjitha subjektet dhe personat në Kosovë bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe pa vonesë e respektojnë çdo kërkesë për asistencë ose urdhrat apo vendimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në pikën e parë të nenit 53. /KosovaPress/

Read Previous

Botohet në Holandë libri ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ nga Ag Apolloni

Read Next

Anketa e OKB-së: Katër nga pesë fëmijë dëshmojnë çdo ditë ndryshimin e klimës