​“Shteti e vrau Arlindën”, aksion simbolik i organizatës “QIKA” para Qeverisë

Organizata “QIKA” ka realizuar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me qëllim adresimin e rastit të vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt dhe kërkimin e përgjegjësisë institucionale. Pran hyrjes në ndërtesën e Qeverisë, organizata “QIKA” ka vendosur një pankartë me mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën”, si dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallët e Qeverisë.

Aktivistja e “QIKA-s”, Blenda Asllani, tha se institucionet që kontribuuan në dështimin për ta mbrojtur Zekajn duhet të hetohen dhe të mbahen përgjegjëse para drejtësisë.

Ajo theksoi se ngjyra e kuqe e hedhur në shkallët e Qeverisë simbolizon akuzën ndaj shtetit për dështimin në mbrojtjen e jetës së viktimës.

“Kontribuuan në dështimin për të mbrojtur Arlindën, duhet të hetohen e të mbahen përgjegjësitë para drejtësisë. Ngjyra e kuqe që e hodhën sot në shkallët e qeverisë është akuzë. Është kujtesë e jetëve të humbura dhe përgjegjësisë që shteti duhet ta mbajë. Shteti e vrau Arlindën, andaj shteti duhet të jap llogari”, tha Asllani.

Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili, sipas informacioneve të bëra publike, ndodhet ende në arrati.

Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.

Vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Në letrën që mban vulën e pranimit të datës 22 tetor, ajo kishte paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej dhe kishte shprehur shqetësimin se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të merrej një jetë njerëzore. /KosovaPress/

Read Previous

Humbja nga Aston Villa, Maresca: Nuk i shfrytëzuam rastet e krijuara dhe e pësuam

Read Next

Macron: Ruajmë Republikën dhe rendin pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme