Inflacioni u rrit në 2,9% në shtator 2026, nga 2,4% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me gushtin 2026, çmimet e konsumit u rritën me 0,4%.
Sipas të dhënave të publikuara sot për Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), rritja vjetore e çmimeve në shtator u ndikua kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 0,96 pikë përqindje, i ndjekur nga “Transporti”, me 0,81 pikë përqindje.
Grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” ndikoi me 0,54 pikë përqindje në rritjen vjetore të çmimeve, ndërsa “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,16 pikë përqindje.
Ndërkohë, grupet “Pije alkoolike dhe duhan”, “Argëtim, sport dhe kulturë” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” kontribuuan me nga 0,12 pikë përqindje secili.
Rritje më të moderuara në ndikimin e tyre patën edhe grupet “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme”, me 0,08 pikë përqindje, “Sigurime dhe shërbime financiare”, me 0,07 pikë përqindje, “Shëndeti”, me 0,06 pikë përqindje dhe “Shërbimi arsimor”, me 0,04 pikë përqindje.
Në kahun e kundërt, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” ndikuan me -0,12 pikë përqindje, ndërsa “Informacioni dhe komunikimi” me -0,04 pikë përqindje.
Krahasuar me shtatorin 2025, rritjen më të madhe vjetore të çmimeve e regjistroi grupi “Transporti”, me 12,4%, i ndjekur nga “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 5,9%, dhe “Sigurime dhe shërbime financiare”, me 4,5%.
Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 2,8%, ndërsa grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” shënoi një rritje prej 2,7%. Rritje u regjistruan edhe në grupet “Pije alkoolike dhe duhan”, me 2,5%, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, me 2,3%, dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi”, me 2,1%.
Nga ana tjetër, çmimet e “Veshje dhe këpucë” u ulën me 3,1%, ndërsa ato të grupit “Informacioni dhe komunikimi” me 1,1%. /ATSH/