• 1 July, 2022

​Kurti takoi këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe mbështetjen për vendin tonë, dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Duke biseduar për aspektin e sigurisë, Kurti tha se Kosova është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me SHBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në BE dhe përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

Kryeministri Kurti ritheksoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.

Gjatë takimit u diskutua për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon.

U bisedua për rreshtimin e Kosovës me SHBA-në dhe botën demokratike në dënimin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

Sullivan shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Kosovës për refugjatët afganë dhe strehimin e përkohshëm të tyre në Kosovë.

Read Previous

​Osmani kërkon përkrahjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Read Next

Artur Jella, shefi që ka hapur mbi 187 restorante në mbarë botën