Artur Jella, shefi që ka hapur mbi 187 restorante në mbarë botën

Rrugëtimin nëpër botë nuk e ka bërë si një turist i mirëfilltë. Ai ka udhëtuar për punë, është ndalur me muaj të tërë në vende të ndryshme dhe ka eksploruar vendet përmes gastronomisë. Ky rrugëtim për të, ka qenë njëkohësisht edhe pasurimi më i madh në karrierën e tij si shef kuzhine.

Artur Jella, prej 15 vitesh është vendosur në Spanjë, Valencia, ku ka hapur restorantet e tij me emrin “Shija”. Në një intervistë për Businessmag.al, ai tregon se pavarësisht se ka punuar për të hapur mbi 187 restorante në mbarë botën, është ende në kërkim të kafshatës përfekte. Muajt e fundit i kaloi në Shqipëri, duke kontribuar në ndërtimin e një kuzhine tradicionale, por me pasurim të shijeve dhe teknikave të gatimit, tek “Shend e Verë” tek Kalaja e Tiranës.

Gjatë muajit dhjetor, Arturi u shpall “Lider Ekselent” në fushën e gastronomisë nga Albanian Excellence.

Karriera e tij nisi si një terapi.

– “Pas një aksidenti të rëndë nuk luaja dot më futboll, fushë të cilës i isha dedikuar shumë kur isha i vogël. Pas aksidentit, nisur nga gjendja e ngarkuar emocionale, një shok italian më fton të kaloj një fundjavë në Siçili”, thotë Jella.

Pikërisht aty ai dashurohet me kuzhinën. U befasua nga gatimi i ngadaltë dhe i vëmendshëm i një pjate “spageti” sa arrin të largojë të gjitha mendimet e tij që i rëndonin në kokë. Nga aty nisi rrugëtimi në kuzhinën ku edhe sot pas 30 vitesh thotë se gatimi është ende një terapi për të. Kur miqtë e tij e pyesin se kur pushon, ai thotë: “kur jam në kuzhinë”.

Sukseset nuk janë rastësi dhe kjo dallon edhe tek Arturi. Kur ishte fëmijë i vogël, me talentin e tij në matematikë, merr pjesë në olimpiadat kombëtare e ndërkombëtare të matematikës. Pasioni për futbollin e tërheq vëmendjen e tij dhe i dedikohet, deri kur për arsye shëndetësore iu bë e pamundur. Sot gjendet me po aq pasion në kuzhinë, të cilës i dedikohet tërësisht.

Atij i pëlqejnë teknikat e gatimit francez, por ai mbetet mediterran dhe i dedikuar pas kuzhinës mediterrane, ku implementon teknikën franceze të gatimit. Në Paris zhvillon praktikën e parë në kuzhinë, ku punoi për dy vite.

“Kërkova shkollën më të mirë në Londër, falë edhe mbështetjes së Kumbarit tim”, tregon Arturi në intervistë. Megjithatë, me kalimin e kohës i duhet të punojë. Krahas shkollës së kuzhinës, ai studion ekonomi-turizëm. Pra, për 4 vite studionte në dy shkolla njëkohësisht dhe punonte, duke e mbyllur ditën me vetëm 3 orë gjumë. Me lodhjen që i rëndonte edhe në trup, ai arriti të marrë diplomën e artë në degët e studimit. Si ndër më të mirët, nisi punë me shefin e tij, profesorin në fushën e gastronomisë, por si antikonvecional dhe me karakter të fortë, ai u shkëput po ashtu brenda vitit të parë të punës. Hotel Hilton në Angli ishte destinacioni i tij i punës, deri sa njohu gruan e tij spanjolle dhe vendosën të transferoheshin në Spanjë.

Në zonën qëndrore të Valencias, 10 vite më parë ka hapur restorantin e tij “Shija”. Ndërsa së fundi në “Altea”, po hap një restorant të kuzhinës së lartë ballkanike, shqiptare.

“Jam shumë i interesuar që bota t’i njohë ushqimet tona”, thotë Jella.

“Shija” mund të cilësohet pa frikë një destinacion turisik shqiptar për spanjollët. Ata mund të njohin nga kultura jonë edhe pa mbërritur në Shqipëri fizikisht. Arturi punon me fanatizëm pjata të hershme shqiptare, duke i pasuruar dhe duke e ngritur nivelin e pjatës.

Biseda me Arturin është një udhëtim interesant shijesh dhe përshtypjesh globale dhe është në gjendje që përmes një pjate në tryezë të të çojë në vende nga më të ndryshmet.

Udhëtimet e tij në Singapor, Kinë, Argjentinë, Afrikë, Amerikë e kanë bindur se lënda e parë për të nuk janë proteinat, por perimet, frutat dhe bishtajoret. Teknikat e gatimit që vijnë nga kultura të ndryshme të tregojnë se si trajtohen produktet dhe këtu merr identitet njëra kuzhinë nga tjetra.

“Kam qenë 6 muaj në Mozambik, Kenia dhe Nigeri. Një tribu konservonte qumështin e dhisë dhe e fermentonte në dru bambuje në tokë për rreth 3 muaj. Ata e hapën një prej tyre në nderin tonë (dhe pavarësisht se nuk flisnim dot me to) me shenja na treguan se duhej të mbyllnim hundën për ta ngrënë. Ishte shumë e shijshme, ndërsa nëse ndjeje erën nuk do të mund ta konsumoje”, thotë Jella. Këtë shembull e sjell për të treguar se kulturat janë nga më të ndryshmet dhe nëse jemi të hapur ndaj tyre mund të kuptojmë, mësojmë dhe përftojmë eksperienca të reja.

Për të, turisti duhet të konsumojë ushqimin e vendit ku shkon.

“Pas gjuhës, gastronomia është ajo që tregon shumë për vendin”.

Mund të duket e çuditshme, por ai vjen për herë të parë në Shqipëri, me motivin e mirëfilltë të punës. “Falë Çobos është hera e parë që vij në Shqipëri dhe e kisha me dëshirë që të mund të jepja një kontribut sado të vogël. Tek Çobo, ai ka sjellë një pjesë të teknikave të tij, një pjesë të udhëtimeve të tij. KusKus që serviret aty është një recetë e kurdëve në kufi me Sirinë. Gatimi është kujtim dhe ushqimi i mirë nuk harrohet asnjëherë. Shija sipas tij është si një mikroçip, ngulitet në memorie. Në këtë mënyrë, një restorant bëhet destinacioni ynë i preferuar, pasi ofron produktin tonë të preferuar. “Objektivi është që kur të vjen në mendje një ushqim, të të vijë në mendje edhe vendi ku e ka ngrënë atë. Kuzhinierët janë në kërkim të asaj që quhet kafshata perfekte dhe unë kam 30 vjet që jam në kërkim të kafshatës perfekte. Por, kuzhina është pa limit. Statistikat thonë se ne po përdorim thjesht 5% të shijeve në botë, por në fakt përdorim shumë më pak. Kuzhina më pëlqen, sepse është e pa limit”, – thotë Jella.

3 muaj angazhim tek “Shend e Verë”, janë edhe një provë-studim për të. Pasi ka studiuar realitetin dhe klientin shqiptar, ai ka filluar të mendojë për një restorant në Shqipëri. “Në 2025 them se do të kem restorantin tim në Shqipëri”, ndërsa pas 10 vitesh synon të ketë më shumë kohë për të udhëtuar me familjen.

Ai largohet kësaj radhe me një përshtypje të mirë nga Shqipëria.

“Është me vlerë që të rinjtë kanë etje për të mësuar. Punonjësit këtu janë të interesuar. Me aktivitetin këtu, kemi trefishuar aktivitetin në restorant dhe kemi ulur 70% kostot fikse. Kjo tregon se klienti shqiptar është i hapur ndaj risisë”. /KultPlus.com

Read Previous

​Kurti takoi këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan

Read Next

Muzeu Hebraik në Vlorë, institucioni më i ri i kujtesës