​Kardiologu Agron Leka: Emocionet e forta mund të ndikojnë në zemër, pacienti më i ri me infarkt ishte 22 vjeç

Emocionet e forta, stresi, pirja e duhanit dhe mungesa e aktivitetit fizik mund të ndikojnë në shëndetin e zemrës. Kështu ka deklaruar internisti-kardiolog Agron Leka.

Duke folur për sulmet në zemër, Leka ka thënë se infarkti nuk prek vetëm moshat e shtyra. Ai tregoi se pacienti më i ri që kishte diagnostikuar me sulm në zemër ishte vetëm 22 vjeç.

“Gjatë përvojës time, më i riu ka qenë 22-vjeçar, të cilin e kam diagnostikuar me sulm në zemër”, tha Leka.

I pyetur nëse emocionet e forta, përfshirë ato që lidhen me dashurinë, mund të ndikojnë në zemër, Leka tha se ato mund të jenë ndër faktorët që ndikojnë në gjendjen shëndetësore.

“Dashuria, pirja e duhanit, mosaktiviteti fizik, stresi. Pastaj mund të jenë shumë ambiciozë. Ambiciet e tepruara, kur nuk e arrin atë që e ka paraparë, mund të jenë faktor për sulm në zemër”, tha ai.

Sipas kardiologut, edhe përjetimi i një tragjedie apo humbjeje të madhe mund të ndikojë në organizëm. Ai përmendi humbjen e një personi të afërt si një prej situatave që mund të shkaktojë ngarkesë të madhe emocionale.

Leka tha se te të rinjtë, stresi dhe ngarkesat emocionale mund të shoqërohen edhe me çrregullime të ritmit të zemrës.

“Pirja e duhanit, mosaktiviteti fizik, mbipesha, pastaj punësimi, regjistrimi në fakultete… Këto më shumë shkojnë me çrregullim të ritmit, me aritmi, bradikardi, takikardi, lloje të ndryshme”, tha Leka.

Kardiologu ka dhënë edhe këshilla për parandalimin e sëmundjeve të zemrës, duke e vënë theksin te stabiliteti fizik dhe psikik, si dhe aktiviteti fizik.

“Këshilla ime është që të jetë së pari stabil, pra në aspektin motorik dhe psikik të jetë stabil. Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm”, theksoi Leka. /KosovaPress/

Read Previous

Fushata zgjedhore në SHBA, Trump ndan nga 90 dollarë për pensionistët – premton nga 5000 për secilin qytetarë nëse fiton

Read Next

Sonte nata e 18-të e protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së