​Infantino thyen heshtjen për planin kontrovers të FIFA-s

Presidenti i Gianni Infantino ka folur për herë të parë publikisht lidhur me planet e diskutueshme të FIFA-s për krijimin e kompanisë së re FIFA Forward Enterprise, përmes së cilës synohet shitja e një pjese të të drejtave komerciale të organizatës tek investitorë privatë.

Në një videomesazh të publikuar në Instagram, Infantino e cilësoi nismën si “një propozim dhe jo një detyrim”, duke theksuar se bëhet fjalë për një proces konsultimi demokratik. Sipas tij, kompania e re do të konsolidojë të drejtat komerciale dhe organizimin e turneve të FIFA-s, ndërsa organizata do të mbajë shumicën e aksioneve edhe nëse 20 deri në 30 për qind e tyre u shiten investitorëve. Nga ky proces, FIFA synon të sigurojë të ardhura që mund të kalojnë katër miliardë dollarë amerikanë.

Infantino hodhi poshtë pretendimet se FIFA po privatizon futbollin botëror, duke garantuar se kontrolli mbi garat do të mbetet në duart e organizatës. Ai premtoi gjithashtu rritje të ndjeshme të mbështetjes financiare për 211 federatat anëtare, duke bërë të ditur se fondet bazë do të rriten nga tetë në 20 milionë dollarë për secilën federatë, ndërsa do të ketë edhe fonde shtesë përmes një programi të ri financimi.

Megjithatë, plani ka hasur në kundërshtime të forta, veçanërisht nga Aleksander Čeferin, i cili ka shprehur shqetësimin se përfshirja e investitorëve privatë mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e funksionimit të futbollit botëror. Sipas raportimeve të mediave, federatat anëtare kanë afat deri më 19 shtator për të vendosur mbi propozimin.

Në fund të deklaratës së tij, Infantino u përpoq të qetësonte shqetësimet e tifozëve, duke theksuar se “tifozët mbeten në zemër të lojës më të bukur në botë” dhe se garat kryesore të FIFA-s do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërhyrje të jashtme. /KosovaPress/

Read Previous

​Messi rikthehet në stërvitje me Inter Miamin

Read Next

​Nga 1 shtatori, Inspektorati Qendror i Punës kalon në inspektime plotësisht digjitale, do të përdoren edhe dronë