Gjermanët kalojnë mesatarisht 22 ditë në vit në pushim mjekësor
Mbetjet mortore edhe të tre personave, që dyshohet se janë viktima të luftës së fundit në Kosovë, janë gjetur në fshatin Kalludër të Zubin Potokut.
Policia e Kosovës njoftoi se njësitë përkatëse i kanë zbuluar ato më 14 gusht 2026, përcjell KosovaPress.
Sipas ekspertit mjeko-ligjor, mbetjet janë me prejardhje njerëzore dhe paraqesin interes për ekzaminim forenzik.
Rasti është evidentuar në raportin policor si “Krime lufte kundër popullatës civile”, ndërsa periudha e ndërlidhur me të është 19 prilli i vitit 1999.
Gërmimet për një varrezë të dyshuar masive në Kalludër të Zubin Potokut nisën në fund të korrikut, ndërkaq disa ditë më parë, nisën gërmime edhe në Jakubë, të po kësaj komune në veri të Kosovës.
Sipas një raporti të publikuar më 29 korrik, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës tha se bazuar në të dhënat preliminare, janë dokumentar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, konsiderohen ende të zhdukur, teksa mbetje mortore të të zhdukurve janë gjetur në disa varreza masive në Serbi. /KosovaPress/