​Messi rikthehet te goli, Inter Miami ndalet në barazim

Lionel Messi ka shënuar golin e tij të parë që nga vdekja e babait të tij, Jorge Messi, por Inter Miami nuk ka arritur më shumë se një barazim 2-2 në udhëtim te Philadelphia Union në “Major League Soccer”.

Superylli argjentinas realizoi në minutën e 26-të, duke lënë të shtangur portierin kundërshtar me një goditje karakteristike me të majtën, e cila përfundoi në këndin e largët.

Pas golit, Messi pati një festim të përmbajtur. Ai u përqafua me bashkëlojtarët, ndërsa më pas ngriti duart drejt qiellit, në një moment emocional që lidhej me babanë e tij, Jorge, i cili ndërroi jetë më 8 gusht.

Miami kishte kaluar në epërsi pesë minuta më herët. Messi ishte i përfshirë në aksion, duke shërbyer për Luis Suarezin, ndërsa sulmuesi uruguaian asistoi për Daniel Pinter, i cili realizoi nga afërsia.

Megjithatë, Philadelphia Union reagoi dhe arriti të marrë një pikë falë golave të Indiana Vassilev në minutën e 11-të dhe Neil Pierre në minutën e 58-të.

Me këtë gol, Messi, 39-vjeçar, është ngjitur në vendin e dytë në listën e golashënuesve të MLS-së me 13 gola, vetëm një më pak se sulmuesi kroat i Dallas, Petar Musa.

Argjentinasi kishte mbetur pa shënuar në dy ndeshjet e mëparshme pas kthimit nga Argjentina, pas vdekjes së babait. Në këtë periudhë, Inter Miami u eliminua nga “Leagues Cup” pas humbjes 3-2 ndaj Leonit, ndërsa më pas pësoi një disfatë të thellë 4-1 ndaj Nashville SC, ndeshje në të cilën Messi humbi edhe një penallti.

Inter Miami tani ka katër ndeshje radhazi pa fitore dhe ndodhet shtatë pikë prapa Nashville SC, liderit të Konferencës Lindore. /KosovaPress/

Read Previous

Harry Maguire: Manchester United mund ta fitojë Premier Ligën

Read Next

Dhuna në familje, disa raste raportohen në rajonin e Gjakovës