​Foda flet për pensionimin e Amir Rrahmanit

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur për tërheqjen e kapitenit Amir Rrahmani, duke thënë se mbrojtësi e ka informuar personalisht për vendimin e tij.

Foda ka deklaruar për CANAL+ se situata në Kosovë është shumë emocionale, ndërsa ka konfirmuar se Rrahmani ia ka komunikuar atij vendimin për t’u larguar.

“Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahmani ka dhënë dorëheqjen. Ai më informoi personalisht për këtë. Por të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftoj do të jenë atje të hënën dhe do të përgatiten për ndeshjet së bashku me mua”, ka thënë Foda.

Rrahmani, i cili është një prej figurave kryesore të dardanëve njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar në prag të ndeshjeve të shtatorit.

Në ditët e fundit është raportuar edhe për mundësinë që vendimi i Rrahmanit të pasohet nga largime apo bojkotime të lojtarëve të tjerë të Kosovës.

Megjithatë, Foda e ka mohuar një skenar të tillë, duke thënë se situata është ekzagjeruar.

“Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë”, ka deklaruar trajneri gjerman. /KosovaPress/

Read Previous

Organizata Botërore Meteorologjike: Rezervat globale të ujit po pakësohen

Read Next

Bosch: Presidenti i ri i Kosovës, mbase mund t’i falë të dënuarit nga Specialja