Zyrtarët rusë: Nga 1 maji Kherson do të përdorë rubla

Qyteti Kherson në Ukrainën jugore, të cilin Rusia pretendon se e ka pushtuar, do të kalojë në përdorimin e rublës nga 1 maji, raportoi media shtetërore ruse Ria Novosti.

Kirill Stremousov, nënkryetari i administratës ushtarako-civile të rajonit, tha për Ria Novosti se tranzicioni do të ndodhë në një periudhë prej katër muajsh, gjatë së cilës rubla ruse dhe hryvnia ukrainase do të jenë në qarkullim, shkruan BBC.

Sipas zyrtarit rus pas kësaj periudhe, rajoni do të kalojë plotësisht në përdorimin e monedhës ruse.

Forcat ruse përdorën gaz lotsjellës dhe granata trullosëse për të shpërndarë një tubim pro-ukrainas që shpërtheu të mërkurën, tha Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës.

“Gjatë një mitingu paqësor pro-ukrainas në Sheshin e Lirisë në qytetin Kherson, ushtarakët e forcave të armatosura ruse përdorën gaz lotsjellës dhe granata trullosëse kundër popullatës civile”, tha zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës në një deklaratë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy komentoi  protestat, duke thënë në një fjalim natën vonë se “i është mirënjohës të gjithëve që nuk janë dorëzuar, që po protestojnë, që po injorojnë pushtuesit dhe u tregojnë njerëzve margjinalë që janë bërë bashkëpunëtorë se nuk ka të ardhme për ata”.

Një ditë më parë, autoritetet lokale thanë se Rusia emëroi kryebashkiakun e saj në qytet pasi trupat e saj morën selinë e administratës në kryeqytetin rajonal./abcnews.al/

Read Previous

412 raste aktive me coronavirus në Kosovë

Read Next

Sulmet në veri ndaj Policisë së Kosovës, BE: Të shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione