ZRRE-ja thotë se konsumatorët nuk do të dëmtohen nga procesi faturimit të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji ka deklaruar se ditëve të fundit ka pasur keqinformim të publikut lidhur me aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë për rrymë.

Sipas njoftimit, nga ZRRE-ja kanë thënë se Gjykata ka marrë aktvendim për shtyrje të zbatimit të vendimit por jo anulim të vendimit.

“ZRRE qartëson për publikun e gjerë dhe për konsumatorët se Gjykata ka marrë aktvendim për shtyrje të zbatimit të vendimit por jo anulim të vendimit. Për më tepër shqyrtimi meritor akoma nuk ka filluar nga Gjykata Themelore lidhur me vendimin për tarifat me pakicë. Prandaj, përderisa ende nuk ka ndonjë verdikt final të çështjes meritore nga gjykata, ZRRE fton të gjitha palët e interesit, që të përmbahen nga deklarimet e pamatura dhe të bëhen pjesë konstruktive e tejkalimit të krizës së energjisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu nga ZRRE-ja kanë bërë të ditur se janë duke i respektuar aktvendimet e Gjykatave të Kosovës dhe se i janë drejtuar Gjykatës Supreme për mendim juridik lidhur me implementimin e vendimit të Gjykatës Themelore.

“ZRRE informon publikun se është duke i respektuar aktvendimet e Gjykatave të Republikës së Kosovës dhe bazuar në aktvendimin e gjykatës ka nxjerrë vendim për zbatim të këtij aktvendimi, e të cilin ia ka dërguar të licencuarit për zbatim. Duke marrë parasysh paqartësitë rreth implementimit të vendimit të ngritura edhe nga Furnizuesi me Shërbim Universal lidhur me faturimin, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme për mendimin juridik, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore dhe Këshillit Gjyqësor duke kërkuar udhëzime lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës”,thuhet më tej në njoftim.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët nuk do të dëmtohen nga procesi i faturimit të energjisë elektrike.

/teve1.info/

Read Previous

Nuk kalon propozimi për tërheqjen e parave nga Trusti

Read Next

Përfshihet nga zjarri deponia e mbeturinave në lagjen “Ali Ibra”