ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit ndaj Kadri Veselit, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj ish-kryetarit të kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit.

Kërkesa i është drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve tjera.

“Që nga vendimi më i fundit, më 26 shtator 2022, nuk ka pasur ndonjë rrethanë ndryshimi që do të sugjeronte një përcaktim tjetër dhe Veseli nuk bën asnjë parashtresë me argumentin se paraburgimi nuk është më i garantuar”, thuhet në parashtresë të prokurorisë, shkruan BetimipërDrejtësi.

“Mbetet rasti që Veseli është në dijeni për akuzat e rënda kundër tij, për shumicën dërrmuese të provave në bazë të tyre dhe për mundësinë e një dënimi të konsiderueshëm nëse shpallet fajtor. Që nga vendimi i fundit i paraburgimit, shtimi i dëshmitarëve të rinj nga ZPS-ja, zbulimi i dosjeve të mëdha të dokumenteve shtesë në përmbushjen e afatit të 30 shtatorit, si dhe depozitimi i një liste shtesë të Rregullës 102(3), i japin Veselit një pasqyrë të mëtejshme për rastin kundër tij”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ndikimi i Veselit mbetet i pa zvogëluar që nga vendimi i fundit i paraburgimit, gjë që mund ta ndihmojë atë në shmangien e procedurave të DhSK-së.

“Vazhdon të ekzistojë rreziku që Veseli të pengojë procedurat. Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjetur më parë se Veseli ka ndërhyrë, përmes një ndërmjetësi, në një çështje që përfshin DhSK-në, dhe vazhdon, në bazë të pozicionit të tij të mëparshëm dhe ndikimit të vazhdueshëm, të jetë në gjendje, p.sh., të ketë akses në informacion ose të marrë mbështetjen e të tjerëve. Gjykatësi i procedurës paraprake gjithashtu ka gjetur më parë se Shërbimi Informativ i Kosovës është angazhuar në ndërhyrjen e dëshmitarëve derisa Veseli ishte në krye të tij”.

Ndryshe, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.

Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’iu rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.

“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa një proces të rregullt ligjor, duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë/Budakovo1 dhe Semetishtë/Semetište2 në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999”, thuhet në Anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës

Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së u kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.

“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Një pjesë e madhe e këtyre anekseve janë të redaktuara, që i bie se publiku i gjerë nuk ka çasje në shumë prej detajeve, siç janë emrat e shumë personave të përmendur.

Në aneksin 7 të aktakuzës së publikuar flitet edhe për një rast që supozohet se ka ndodhur në një konvikt në Komunën e Gjilanit.

Sipas këtij aneksi, viktima supozohet të ketë qenë civil dhe jo në uniformë ushtarake.

“Në fund të korrikut 1999, [REDAKTUAR] u dërgua me veturë nga vendi i tij i punës në Konviktin e Gjilanit/Gnjilane. 2 Në konvikt, ai u kontrollua dhe iu morën çelësat e makinës dhe kartën e identifikimit dhe iu gris patenta e shoferit. 4 Atij nuk iu tha arsyeja e ndalimit apo arrestimit dhe nuk u akuzua për kryerjen e ndonjë krimi”

Për këto aneksa të reja të aktakuzës, Dhomat e Specialzuara kanë caktuar katër seanca ku të akuzuarit do të deklarohen për fajësinë.

Deri më tash asnjë nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale nuk e ka pranuar fajësinë, të gjithë, pa përjashtim, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

/Dukagjini/BertimiPërDrejtësi/

Read Previous

​Kadetët e FSK-së sfidohen në stërvitjen “Putra e Ujkut”

Read Next

​Kurti në Britani të Madhe, takohet me sekretarin e Jashtëm