Zelenskyy e kërkon me ngulm, por pse NATO nuk bllokon hapësirën ajrore mbi Ukrainë?

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i ka bërë vazhdimisht thirrje NATO-s që të sigurohet që hapësira ajrore e Ukrainës të jetë e sigurt.

“Edhe sa kohë do të jetë bota bashkëpunëtor duke injoruar terrorin? Bllokoni qiellin menjëherë. Ndaloni vrasjet!” shkroi Zelenskyy në Twitter, duke akuzuar Rusinë për sulmin.

Ndonëse vendet perëndimore janë treguar të gatshëm që të dënojnë sulmin ushtarak të Moskës, duke vendosur saksione të ashpra për ekonominë e Rusisë, bllokimi i hapësirës ajrore, e njohur si zonë ndalim-fluturimi, nuk është ndërmarrë si veprim.

Zona e ndalim-fluturimit – no-fly zone – u krijua si term në fillim të viteve 1990 gjatë Luftës së Gjirit, kur një koalicion prej 35 vendesh i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u bashkua për të larguar forcat e Irakut të Sadam Huseinit nga Kuvajti. Në vitin 1993, NATO vendosi një zonë ndalim-fluturimi gjatë luftës në Bosnje, ndërsa në vitin 2011 u përdor në Luftën Civile Libiane që rrëzoi qeverinë e Muammar Gaddafit.

Pra, me fjalë të tjera, është një zonë e kufizuar mbi të cilët avionët me origjinë specifike, në këtë rast të Moskës, nuk lejohen të fluturojnë.

Zelenskyy e kërkon me ngulm, por pse NATO nuk bllokon hapësirënVOLODYMYR ZELENSKYY

“Ne përsërisim çdo ditë: bllokoni qiellin mbi Ukrainë,” ka thënë Zelenskyy. “Nëse nuk e bëni, nëse nuk na jepni të paktën aeroplanë që të mund të mbrohemi, si përfundim: ju doni që të vritemi shumë ngadalë”.

Në teori, kërkesa e Zelenskyy-t duket e thjeshtë, por në praktikë është një veprim i ndërlikuar dhe i rrezikshëm. Pse nuk po ndërhyn NATO?

Në rastin e Ukrainës, vendosja e zonës së ndalim-fluturimit do ta vendoste NATO-n përballë një superfuqie që ka ushtrinë e dytë më të fuqishme në botë, një fuqi bërthamore. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar vazhdimisht për gazetarët sa herë është pyetur për një veprim të tillë:

“Ne e kuptojmë dëshpërimin, por nëse do ta bënim këtë gjë, do të përfundonim me diçka që mund të çonte në një luftë të plotë në Europë që përfshin shumë më shumë vende dhe shumë më tepër vuajtje.”

Konkretisht, nëse NATO do të zbatonte kërkesën e Zelenskyy-t do të duhej që shtetet anëtare të vendosnin avionë luftarakë në gjithë hapësirën ajrore të Ukrainës, për të luftuar me forcat ruse. Operacionet e gjurmimit, vëzhgimit dhe ndërhyrjes do të shtriheshin në një sipërfaqe prej 603,548 km².Zelenskyy e kërkon me ngulm, por pse NATO nuk bllokon hapësirënJENS STOLTENBERG

Pas kësaj, vendet e NATO-s do të duhej të vendosnin edhe sisteme mbrojtëse tokësore për t’u siguruar që avionët e aleancës të mos goditen. Për të garantuar epërsinë ajrore, NATO do të duhej të vendoste sisteme jashtë Ukrainës dhe rrjedhimisht do të ndërhynte në territorin rus ose bjellorus.

Ky ndërveprim do të çonte në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusisë dhe sipas Nenit 5 të NATO-s: “Një sulm ndaj një anëtari të NATO-s është sulm ndaj gjithë të tjerëve”.

Stoltenberg shtoi gjithashtu: “Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti. Dhe ne kemi përgjegjësinë të sigurojmë që ai të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës.”

Ekspertët i frikësohen luftës bërthamore mes NATO-s dhe Rusisë, që sado e pabesueshme mund të duket, mund të nisë brenda pak minutave./Anabelmagazine/

Read Previous

Në ditën botërore të veshkave këshillohet mbajtja në nivel e tensionit dhe diabetit

Read Next

100 mësimdhënës u certifikuan për programin e trajnimit në PIA