Zeka: Ligji i ri për punëtorët është në kundërshtim me dispozitat e ligjit themelor të punës

Janë mbi 5 mijë punëtorë të cilët janë formalizuar nga kompanitë nga hyrja në fuqi e ligjit të ri me vendim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që punëtorëve t’u jepet kontratë qysh një ditë para fillimit të punës. Të suksesshëm këtë vendim, e vlerësojnë edhe nga Ministria e Financave.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati thotë se në vazhdimësi ekipet përgjegjëse janë në terren duke shikuar nëse po respektohet ligji.

Se ky ligj nuk është në të mirën e bizneseve e thonë edhe njohës të ekonomisë. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se vazhdimisht është duke u shtuar kostoja e operimit të bizneseve të cilat tashmë detyrohen që të kryen këto obligime ligjore.

Ndërsa, ka shtuar se në të njëjtën kohë ky ligj është në kundërshtim edhe me dispozitat e ligjit themelor të punës.

“Derisa ne e kuptojmë që qëllimi është luftimi i ekonomisë joformale, megjithatë duhet të theksojmë që janë shtuar procedurat burokratike dhe rrjedhimisht është shtuar kostoja e operimit për bizneset të cilat tashmë detyrohen që të kryen këto obligime ligjore. Është thënë edhe nga përfaqësues të ndërmarrjeve private, por edhe nga ekspert të ekonomisë që ekzistojnë raste kur punonjësit deklarohen në ATK një ditë përpara, ashtu edhe siç është tashmë edhe kërkesë e re e ligjit, por megjithatë të njëjtit mund të mos e nisin punën fare në ditën kur ata duhet të paraqiten në punë. Në të njëjtën kohë, besojmë se kjo dispozitë është në kundërshtim edhe me dispozitat e ligjit themelor të punës i cili thotë në mënyrë shumë eksplicite që marrëdhënia e punës dallon realisht vetëm në ditën kur punonjësi nis punën pranë ndërmarrjes së caktuar private. Në këtë rast i bie që legjislacioni tatimor shkon një hap para ligjit të punës dhe rrjedhimisht kur kemi konflikt ndërmjet dispozitave të njërit ligj dhe dispozitave të ligjit tjetër”, thotë Zeka. /KosovaPress/

Read Previous

​Bizneset të pakënaqura me Ligjin e ri për punëtorët, kërkohet ndryshimi i tij

Read Next

Osmani: Do ta kujtojmë gjithmonë kontributin këmbëngulës të Albright