Autoritetet shëndetësore greke kanë identifikuar rastin e parë në vend të variantit Omicron të virusit Covid-19. Ekzistenca e këtij varianti u zbulua në ishullin e Kretës në Greqi. Lajmi është konfirmuar nga ministri grek i Shëndetësisë.
Qytetari i infektuar me variantin Omicron është një burrë që ka udhëtuar nga Afrika e Jugut drejt Kretës më 26 Nëntor. Ai është me origjinë greke, por banues i përhershëm në Johanesburg.
Sapo mbërriti në aeroport, qytetari iu nënshtrua një testimi të shpejtë anti-covid dhe rezultoi negativ. Por më pas filloi të shfaqte simptoma të lehta dhe iu nënshtrua një testi tjetër më 29 Nëntor, duke rezultuar pozitiv.
Pas zbulimit të këtij rasti, autoritetet shëndetësore kanë nisur gjurmimin e personave të kontaktit.
Dy ditë më parë, Greqia njoftoi se vaksimi për personat mbi 60 vjeç do të bëhet i detyrueshëm në të kundërt do të aplikohen gjoba 100 Euro në muaj. /tvklan.al