Votohet në Qeveri koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Është miratuar me shumicë të votave në Qeveri të Kosovës koncept-dokumentit për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka propozuar para ministrave koncept-dokumentin.

“Ministria e Drejtësisë ka iniciuar koncept-dokumentin për pasurinë e fituar në mënyrë të pajustifikueshme, mangësitë dhe problemet që ekzistojnë në këtë fushë. MD pas miratimit të këtij koncept-dokumenti do të hartojë projektligjin që do të përmbajë rregullimin e koncepteve për hetimin e pasurisë së pajustifikueshme që ju takon personave të dyshuar. Synohet që të themelohet një agjenci e pavarur, e cila inicion procedurën ndaj personave të dyshuar që kanë fituar pasurinë në mënyrë të jashtëligjshme”, ka thënë ajo.

“Nuk kërkohet që njëherë të dënohet personi me aktgjykim dënues e pastaj të fillojnë procedurat e konfiskimit ndaj tij. Ky ligj do të gjejë zbatim që para shpalljes së pavarësisë. Ky ligj do të mbrojë interesin publik, në drejtim të asaj se pasuria publike mbetet e qytetarëve”, shtoi e njëjta.

Për këtë koncept dokument ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Draft koncept dokumenti trajton tri opsione kryesore, status quo-në pa asnjë ndryshim, përmirësimi i zbatimit të krijimit ligjor pa ndryshime legjislative, opsion që ka adresuar probleme, por e ka të pamundur që të ofrojë bazë të re ligjore, dhe së fundmi hartimi i ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë. Pas analizës së bërë, opsioni për miratimin e ligjit vlerësohet se më i përshtatshëm për t’i adresuar problematikat e identifikuara”, ka thënë ai./GazetaExpress/

Read Previous

Ahmeti: Prishtina e gjelbër prioriteti ynë

Read Next

Nutricionistja Vala Pupovci tregon se si të ushqehemi shëndetshëm gjatë Ramazanit