Von der Leyen sot në Tiranë, nesër në Prishtinë

Credit: Getty Images

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërrin sot në Tiranë, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.

Vizita në Shqipëri shënon ndalesën e parë të një agjende që zyrtarja e lartë evropiane do ta bëjë edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, von der Leyen pritet të zhvillojë takime me drejtuesit më të lartë të vendit, ku në qendër të diskutimeve do të jetë procesi i integrimit evropian dhe hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më 1 tetor, presidentja e Komisionit Evropian do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti. Po atë ditë, axhenda e saj vijon në Podgoricë, ndërsa turi përmbyllet më 2 tetor në Shkup.

Në fokus të vizitës në katër vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të jenë reformat dhe përparimi në rrugën evropiane, si dhe procesi i integrimit gradual të rajonit në strukturat dhe tregun e Bashkimit Evropian.

Një tjetër çështje me rëndësi do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, instrumenti përmes të cilit BE synon të nxisë zhvillimin ekonomik, reformat dhe afrimin e vendeve të rajonit me tregun evropian.

Ky është turi i gjashtë i Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitave, ajo pritet të ndalet edhe në projekte të mbështetura financiarisht nga Bashkimi Evropian. /RTKlive

Read Previous

Estonia fajëson Rusinë për zjarrvënien ndaj prodhuesit të dronëve që furnizon Ukrainën

Read Next

Fitorja ndaj San Marinos, Maran: Jam i lumtur për rezultatin, mund të kishim bërë më tepër për paraqitjen