Vllasi: Dinari të largohet nga agjenda e dialogut

Azem Vllasi, avokat dhe ish-politikan, tha se çështja e dinarit duhet të largohet nga agjenda e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), sepse sipas tij, ky nuk është një problem real të cilit duhet kushtuar vëmendje.

Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankёs Qendrore tё Kosovёs (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit. Në zonat e banuara me shumicë serbe në vend, deri tani është përdorur dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

“Askush s’e ka të qartë se si do të vazhdojë dialogu. Nëse mosmarrëveshja është për shkak të heqjes së dinarit, atëherë duhet të largohet menjëherë nga agjenda sepse nuk është problem real, por imagjinar. BQK-ja nga ana e saj ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që pagesat në euro të arrijnë në llogaritë e përdoruesve nga Serbia”, deklaroi Vllasi në një prononcim të fundit.

Për shkak të situatës së brishtë në pjesën veriore të vendit, posaçërisht pas përshkallëzimit të tensioneve vitin e kaluar që kulmuan pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit, bashkësia e organizuar ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë implementimin e vendimit dhe t’u japë më shumë kohë serbëve lokalë që të adaptohen.

E një cikël i ri i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në Bruksel të Belgjikës nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por përfundoi pa rezultate. Emisari Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi se do t’i ftojë kryenegociatorët e të dyja palëve për diskutime të mëtejshme. /Albanianpost.com

Read Previous

Shea: Pakti i Rritjes dhe Stabilitetit për Ballkanin do ta ndihmojë Kosovën të arrijë procesin e BE-së

Read Next

BISEDË – Përvoja e programerit Donard Gola, nga një zonë e pa njohur në storje suksesi