Vija e gjelbër e kufirit Shqipëri-Kosovë po shfrytëzohet për trafikun e klandestinëve

Kalimi i paligjshëm i kufirit, apo trafikimi i emigrantëve të paligjshëm, kryesisht i atyre që vijnë nga Lindja e Mesme, me synim vendet e Europës Perëndimore, është kthyer në një dukuri shqetësuese edhe për Policinë e Kosovës.

Pavarësisht goditjeve thuajse të përditshme nga autoritetet shqiptare në territor, një pjesë e emigrantëve arrijnë të mbërrijnë në Kosovë, apo të shfrytëzojnë kufirin e gjelbër mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë një raportimi në Komisionin për Siguri të Komunës së Prizrenit, komandanti i vijës së gjelbër pranë vendkalimit të përbashkët kufitar të Vërmicës, Osman Ismaili, ka raportuar edhe bilancin 7-mujor sa i takon trafikut të emigrantëve në këtë pikë. “Janë raportuar 42 raste, prej tyre 7 raste kalim ilegal i kufirit. Kontrabandim emigrantësh janë 6 raste, me 33 emigrantë nga vendet e Mesdheut”, tha Ismaili.

Ndërkohë sa i takon veprave penale që lidhen me krimin ndërkufitar, në vendkalimin e Vërmicës mbizotërojnë ato që kanë të bëjnë me trafikun e lëndëve narkotike dhe kalimin nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe mjeteve të vjedhura./A2news/

Read Previous

​Kapen pajisjet për prodhimin e kriptomonedhave

Read Next

982 viktima nga përmbytjet, Pakistani shpall gjendjen e emergjencës