Van Dijk: Liverpooli është në tranzicion, duhet të përshtatemi me Iraolan

Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka pranuar se skuadra ndodhet në një fazë tranzicioni, teksa po përshtatet me trajnerin e ri, Andoni Iraola.

Liverpooli ka pasur një fazë përgatitore jo bindëse dhe humbja e fundit 4-2 ndaj Monacos ka shtuar shqetësimet rreth formës së skuadrës para nisjes së sezonit të ri.

“Reds” e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në epërsi 2-0 falë golave të Alexander Isak dhe Florian Wirtz. Megjithatë, avantazhi nuk zgjati shumë dhe Liverpooli pësoi katër gola, duke dalë i mposhtur nga “Anfield”.

Pavarësisht pritshmërive të larta dhe cilësisë së madhe në skuadër, Liverpooli nuk ka treguar ende nivelin e dëshiruar gjatë fazës përgatitore. Van Dijk ka pranuar se një prej arsyeve është ndryshimi në stafin teknik dhe mënyrën e punës.

“Patjetër që ndihet si një periudhë tranzicioni. Tani është përgjegjësi e të gjithëve që janë pjesë e Liverpoolit të ndërtojmë diçka që do të jetë e suksesshme për shumë vite”, ka deklaruar Van Dijk.

“Duam të jemi të suksesshëm këtë sezon, por ka ende shumë punë për t’u bërë. Të gjithë e dimë sa e vështirë është të luash në Premierligë, Kupën e Ligës, FA Cup dhe Ligën e Kampionëve, ndaj kemi nevojë që të gjithë të jenë në nivelin më të lartë.”

Van Dijk ka folur me respekt edhe për ish-trajnerin Arne Slot, nën drejtimin e të cilit Liverpooli pati një sezon të suksesshëm.

“Asgjë nuk mund të heqë nga ajo që kemi bërë me Arnen dhe stafin e tij. Kemi kaluar një periudhë të jashtëzakonshme së bashku, edhe pse sezoni i kaluar përfundoi me zhgënjim. Tani kemi një trajner të ri, mënyra të reja përgatitjeje dhe metoda të ndryshme stërvitore, ndaj duhet të përshtatemi me stafin e ri. Më pëlqeu të punoja me Arnen dhe jam i sigurt se do të më pëlqejë të punoj edhe me trajnerin e ri”, u shpreh kapiteni i Liverpoolit.

Liverpooli do ta zhvillojë ndeshjen e fundit miqësore ndaj Comos, përpara se ta nisë sezonin e ri të Premierligës kundër Newcastle United.

Në “Anfield” shpresojnë që skuadra të arrijë të përshtatet shpejt me idetë e Iraolas, pasi sfida zyrtare do të kërkojnë rezultate që në javët e para. /RTKLive

Read Previous

Harry Kane fiton Këpucën e Artë të Evropës për herë të dytë

Read Next

Irani thotë se Hormuzi nuk hapet pa i plotësuar SHBA-ja kërkesat e tij