Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina do të përballet me një deficit raketash që po përdor për të luftuar me Rusinë, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për BBC-në, presidenti ukrainas tha se Vladimir Putin dëshiron një “luftë të gjatë” mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit sepse kjo do ta dobësonte Kievin, me burimet amerikane të drejtuara diku tjetër.
Zelensky gjithashtu pohoi se presidenti amerikan Donald Trump nuk është “në asnjë anë” në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe nuk dëshiron ta “irritojë” Putinin. Ai i bëri thirrje Trump-it dhe Keir Starmer-it të takohen dhe të gjejnë një terren të përbashkët, pas kritikave të përsëritura të presidentit amerikan ndaj kryeministrit britanik.
Tashmë në javën e tretë, konflikti në Lindjen e Mesme është përhapur në Gjirin Persik me Iranin që ka goditur shtetet fqinje si hakmarrje ndaj sulmeve të SHBA-sve dhe Izraelit. Zelensky tha se kishte një “ndjesi shumë të keqe” për ndikimin e konfliktit në luftën në Ukrainë, duke theksuar se negociatat për paqe po “shtyhen vazhdimisht. Arsyeja është vetëm një: “lufta në Iran”.
Ai shtoi se situata po i shërben Putin-it sepse rrit çmimet e energjisë, gjë që është problem për Ukrainën, dhe nënkupton se mund të ketë një “mungesë” raketash.
“Për Putin-in, një luftë e gjatë në Iran është një plus,” tha ai. “Përveç çmimeve të energjisë, kjo nënkupton shterimin e rezervave amerikane dhe të prodhuesve të mbrojtjes ajrore. Kështu që ne kemi shterim të burimeve.”
Zelensky tha se do të ketë “pa dyshim” një mungesë raketash Patriot, gjë që do të jetë “një sfidë”, duke shtuar se pyetja tani është “kur do të shterojnë të gjitha rezervat në Lindjen e Mesme”.
“Amerika prodhon 60-65 raketa në muaj. Imagjinoni, 65 raketa në muaj janë rreth 700-800 raketa në vit. Dhe në ditën e parë të luftës në Lindjen e Mesme u përdorën 803 raketa,” tha Zelensky.
Presidenti ukrainas foli edhe për pozicionin e homologut të tij amerikan mbi luftën në Ukrainë, duke thënë se Trump dëshiron të jetë negociator dhe jo të marrë anë në luftën e Ukrainës kundër pushtimit të paligjshëm rus. Zelensky tha se mendon që Trump “dëshiron ta përfundojë këtë luftë”, por shtoi se presidenti amerikan dhe këshilltarët e tij kanë zgjedhur një strategji dialogu të ngushtë me Putin-in, “për të mos e irrituar atë sepse Europa e irritoi dhe Putin nuk dëshiron të flasë me Europën”.
Lufta e ndezur nga sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit ka kaluar në një përplasje diplomatike pas kritikave të Trump-it ndaj aleatëve të NATO-s dhe mungesës së supozuar të veprimit ushtarak nga Starmer. Zelensky paralajmëroi kundër ndarjes mes liderëve perëndimorë.
Duke folur për BBC-në, presidenti ukrainas tha se megjithëse nuk do t’i thoshte Trump-it çfarë të bënte, të dy duhet të takohen për të përmirësuar marrëdhëniet. /tvklan.al