Sylvinho: Në Kombëtare do të vijnë vetëm lojtarët që vrapojnë

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, u shfaq tepër i zhgënjyer pas humbjes 3-0 kundër Kilit. Braziliani u dërgoi mesazhe të qarta futbollistëve kuqezi, duke thënë se në Euro 2024 do shkojnë vetëm ata që vrapojnë dhe luftojnë për 90 minuta.

“Na mungoi intensiteti. Në 25 minutat e para të lojës nuk kemi bërë asgjë. Ne jemi një skuadër që duhet të luftojë gjatë 90 minutave. Hymë në lojë vetëm pas golit të parë të pësuar. Megjithatë, jam i zemëruar për mënyrën si pësuam golin e dytë dhe të tretë. Ekipi duhet të jetë gjithmonë i përqendruar në lojë. Duhet ta kuptojmë shpejt këtë fakt. Në Europianin që do të luajmë ka nivel shumë të lartë. Në Kombëtare do të vijnë vetëm lojtarët që vrapojnë”, tha Sylvinho.

“Nuk kemi titullarë fiks, skuadra është e hapur për të gjithë, edhe pse është e vështirë të vlerësohet një lojtar vetëm për 90 minuta. Do të luajmë edhe me Suedinë dhe më pas duhet të bëjmë listën për Euro 2024. Kur të kthehemi në Tiranë nga Stokholmi do të mendojmë për Europianin”.

Shqipëria i nisi keq përgatitjet për Euro 2024 me humbjen 3-0 përballë Kilit. Ndeshja miqësore e luajtur në Parma ishte një leksion i mirëfilltë për kuqezinjtë, që kthehen me këmbë në tokë, pas një viti me rezultate pozitive.

Ata u shfaqën larg formës së tyre më të mirë, duke bërë shumë gabime. Loja ishte pa ide dhe skuadra vuajti gjithmonë grintën e latinëve, që dominuan në të gjithë fushën. Për të ndihmuar Kombëtaren nuk shërbyen as rikthimet e Rey Manaj dhe Armando Brojës. Sulmuesit ishin në hije, të pandihmuar nga skuadra dhe nuk arritën të krijonin raste shënimi. As debutuesi Arbër Hoxha nuk arriti të lërë gjurmë në këtë takim, ndonëse luajti pak më shumë se 20 minuta. Ndeshja e radhës e Kombëtares do të jetë më 25 mars në Stokholm përballë Suedisë. /A2news/

Read Previous

Kusari – Lila: Nuk e konsiderojmë që ka hapësirë për dorëheqje apo përmbyllje të mandatit të Qeverisë

Read Next

Guterres: Bllokimi i ndihmave në Gazë është fyerje morale